Foto: MPJD

Kundërshtimet në Parlamentin Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, flasin nga MPJD

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të dalë me një qëndrim të mërkurën sa i përket raportit për Kosovën që është votuar sot në Parlamentin Evropian, ku gjatë diskutimit mes tjerash është kundërshtuar edhe liberalizimi i vizave dhe njohja nga pesë shtetet që nuk e njohin Kosovën.

Bul Salihu, këshilltar për media i ministres në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka thënë për KALLXO.com se e dinë që Franca është njëra prej shteteve që po e kundërshton liberalizimin e vizave.

Megjithatë ai ka shtuar se ende nuk dihet nëse kanë kaluar si amendamente këto diskutime.

“[Liberalizmi i vizave] është kundërshtuar, por nuk po dihet a ka kaluar sepse thirrja ka qenë që pesë vendet mosnjohëse me njoftë Kosovën sa më shpejt që është e mundur dhe se sa më shpejt të bëhet liberalizimi i vizave. Kjo ka qenë në draftin e raportit. Tash nuk e dimë ne rezultatin e votimit. Ne po e dimë që e ka kundërshtuar Franca”, ka theksuar ai për KALLXO.com.

Sipas Salihut, pa u bërë publike votimet është problem të jepet ndonjë vlerësim.

“I kam parë raportimet në media. Përveç kësaj ne e kemi përcjellë gjithë ditën sot. Ne nesër do të kemi reagim për këtë punë, e kemi përcjellë me vëmendje të madhe. Po ju them edhe juve, duhet pasur kujdes sepse nuk ka akoma rezultate të votimit të definuara qartë dhe të publikuara. Sot kemi pasur të dalim me reagim, por për shkak të kësaj situate mos me kriju paqartësi dhe mos me dalë me reagu me diçka pa e pasë të qartë saktësisht çka ka ndodhur, e kemi lënë për nesër”, është shprehur këshilltari i ministres në detyrë.

Në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian të martën u votua për amendamentet e shumta në raportin për Kosovën të përgatitur nga Viola Von Cramon si dhe raporti në tërësi, ka raportuar Radio Evropa e Lirë.

Gjatë debatit, disa deputetë shprehën kundërshtimin e tyre lidhur me thirrjen që pesë shtetet e bllokut ta njohin Kosovën si dhe që BE-ja të liberalizojë vizat për shtetasit e Kosovës.

Për shkak të mënyrës specifike të votimit, rezultatet e sakta për amendamentet e veçanta do të dihen më vonë.

Liberalizimi i vizave është njëra prej çështjeve që iu premtua më së shumti qytetarëve të Kosovës ndër vite, por që ende mbetet i parealizuar.

Pas dritës së gjelbër që mori Kosova për heqjen e vizave nga ana e Komisionit dhe Parlamentit Evropian, kjo temë ka mbetur tashmë në vullnetin e shteteve anëtare veç e veç të BE-së për të vendosur.

Komisioni Evropian ka deklaruar se inkurajon shtetet anëtarë të BE-së që të marrin përfundimisht vendimin për liberalizimin e vizave, ndërkaq Këshilli i BE-së thotë se diskutimet mbi liberalizimin e vizave për Kosovën, kanë mbetur përbrenda në nivelin teknik.

Vizat stagnojnë në Këshill të BE-së, premtohen në Kosovë