Zoran Zaev - Foto: REL/Reuters

Zaev në Forumin Ekonomik Rajonal në Shkup, përmend mungesën e vizave për Kosovën

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev sot në Shkup në kuadër të Forumit Ekonomik për bashkëpunim rajonal e ka përmendur mosliberalizmin e vizave për Kosovën.

Në këtë forum përveç Zaev po marrin pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Në këtë ngjarje nuk po merr pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka kundërshtuar idenë e mini-shengenit Ballkanik, emër ky që tashmë është ndërruar në nismën e fundit.

Zave deklaroi se mossuksesi i BE-së për t’i plotësuar premtimet e dhëna për vendet e Ballkanit Perëndimor është kundër idesë evropiane.

“Mossuksesi i BE-së për t’i plotësuar premtimet për hapjen e negociatave për Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë dhe liberalizimin e vizave për Kosovën është kundër idesë evropiane, kundër interesave të BE-së dhe kundër përcaktimit të anëtarësimit të këtyre shteteve në BE-në, jo vetëm për Shqipërinë e Maqedoninë por edhe për Serbinë dhe Malin e Zi”, tha ai.

Zaev shtoi se “e nuk mund të presin, të gjitha problemet brenda BE-së që të zgjidhen që qytetarët tonë të ecin përpara”.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut shtoi se sot nuk do të flas për BE-në, por për Ballkanin Perëndimor dhe për “rajonin e hapur”.

“…Për një rajon dhe një nismë e cila sot do të prezantohet me një emër të ri, emër i cili pasqyron realitetin e ri që sot promovohet nga gjithë ne këtu. Të gjithë së bashku i japim një implus të ri të hapësirës së re ekonomike të tregut të ndërlidhur ekonomik. Kjo ka për qëllim që të hapin nisma të reja të integrimit tonë”, tha kryeministrit Zaev.

Sipas tij kjo ka për qëllim zhvillimin dhe investimet e mëdha në vendet e rajonit.

Në lidhje me mungesën e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, KALLXO.com ka dërguar  pyetje në Qeverinë e Kosovës për të kuptuar nëse Kurti ka marrë ftesë dhe se pse nuk po merr pjesë në Forum, dhe është në pritje të përgjigjes së tyre.