Vizat stagnojnë në Këshill të BE-së, premtohen në Kosovë

Liberalizimi i vizave është njëra prej çështjeve që iu premtua më së shumti qytetarëve të Kosovës ndër vite, por që ende mbetet i parealizuar.

Pas dritës së gjelbër që mori Kosova për heqjen e vizave nga ana e Komisionit dhe Parlamentit të Bashkimit Evropian, kjo temë ka mbetur tashmë në vullnetin e shteteve anëtare veç e veç të BE-së për të vendosur, përkatësisht në Këshill të Bllokut Evropian.

Komisioni Evropian, ka deklaruar se inkurajon shtetet anëtarë të BE-së që të marrin përfundimisht vendimin për liberalizimin e vizave, ndërkaq Këshilli i BE-së thotë se diskutimet mbi liberalizimin e vizave për Kosovën, kanë mbetur përbrenda në nivelin teknik.

Viza liberalizim ende s’ka, e heqja tyre po premtohet sërish në Kosovë, sidomos gjatë fushatës elektorale që po zhvillohet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 14 shkurt.

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, njëherësh kryeministër në detyrë, Avdullah Hoti ka premtuar se gjatë vitit 2021 do të sigurohet liberalizimi i vizave.

“Viti 2021 do të mbyllet me marrëveshje ndërkombëtare për të përmbyllur së pari procesin e dialogut, për të normalizuar plotësisht marrëdhëniet me fqinjin tonë, me njohje reciproke. Viti 2021 do të mbyllet me ndihmën e miqve tanë, familjes tonë politike, partive popullore evropiane me liberalizim të vizave”, theksoi Hoti javën e kaluar, për të bërë të njëjtin premtim edhe këtë të martë.

KALLXO.com ka kontaktuar BE-në lidhur me mundësinë nëse mund të hiqen vizat për Kosovën gjatë vitit 2021.

Komisioni Evropian në një përgjigje për KALLXO.com ka theksuar se kjo çështje tashmë është në dorën e Këshillit të BE-së për të vendosur.

“Komisioni konfirmoi në korrik 2018 se Kosova përmbushi të gjitha kriteret e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave. Vlerësimi ynë qëndron ende. Pas votimit të favorshëm të Parlamentit Evropian në 2019, tani është tek Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian të vazhdojnë këtë çështje përpara. Ne i inkurajojmë ata të vazhdojnë me heqjen e kërkesave për viza për Kosovën”, thuhet në përgjigjen e tyre.

KE-ja tutje ka theksuar se për më shumë informacion mbi punën në Këshill, sugjeron që të kontaktohet drejtpërdrejt ky mekanizëm.

Ndërkaq, në një përgjigje për KALLXO.com nga Këshilli i BE-së, thuhet se një numër i shteteve anëtare, kanë shprehur shqetësim në lidhje me përmbushjen e kritereve për vizat.

“Propozimi për t’i dhënë liberalizimin e vizave Kosovës, u paraqit nga Komisioni Evropian në Këshill dhe Parlamentin Evropian në 2016, pasuar nga një raport në 2018 që tregon se Kosova kishte përmbushur të gjitha standardet e kërkuara. Në bazë të këtij propozimi, Këshilli ka diskutuar këtë çështje me qëllim që të bien dakord mbi një mandat negociues për të filluar diskutimet me Parlamentin Evropian. Sidoqoftë, mbështetja e mjaftueshme për një tekst nuk është arritur ende për shkak të shqetësimeve nga një numër shtetesh anëtare në lidhje me përmbushjen e standardeve të kërkuara”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Sipas këtij mekanizimi, diskutimet mbi liberalizimin e vizave për Kosovën kanë mbetur në nivelin teknik brenda Këshillit.

“Nuk mund të spekulojmë se cilët mund të jenë hapat e ardhshëm ose kur mund të merret një vendim”, thuhet në përgjigjen e tyre për KALLXO.com.

Në korrik të vitit 2020, edhe Komiteti për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, i pati bërë thirrje Këshillit të Bashkimit Evropian, që të përmbushë premtimin ndaj Kosovës, për t’i siguruar liberalizimin e vizave.