Osmani: Me kryeministrin e Çekisë diskutova për liberalizim të vizave e anëtarësim në NATO e Këshill të Evropës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se gjatë takimit me kryeministrin e Çekisë, Petr Fiala, ka diskutuar për procesin e liberalizmit të vizave. Sipas Osmanit ky vendim është vonuar më shumë se katër vite.

“Me Kryeministrin e Çekisë, z. Petr Fiala, diskutova rreth urgjencës së përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave gjatë presidencës çeke të Këshillit të BE-së. Ky vendim i vonuar për më shumë se 4 vite, shpresojmë të merret pikërisht në Çeki, vendin simbol të lirisë, i cili gjithnjë qëndroi në përkrahje të popullit të Kosovës” – ka shkruar Osmani në rrjetin social Facebook.

Osmani tutje potencoi se temë diskutimi ka qenë edhe anëtarësmi i Kosovës në NATO e Këshill të Evropës.

“Anëtarësimi në Këshillin e Evropës, në Partneritetin për Paqe të NATO-s dhe thellimi i raporteve bilaterale ishin ndër temat e tjera që diskutuam. E falenderoj Kryeministrin Fiala për përkrahjen e vazhdueshme të Çekisë ndaj Kosovës”, shtoi më tej Osmani.