Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ku duhet të vendoset ambasada e Kosovës në Izrael, flet Abazi i LVV-së

Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Haki Abazi, ka thënë se çështja e vendosjes së ambasadës së Kosovës në Izrael është komplekse.

Sipas tij, ky ka qenë një problem i krijuar nga Qeveria Hoti për të cilin do të diskutohet me Izraelin dhe Bashkimin Evropian për të gjetur një opsion sa më të mirë.

“Është një prej çështjeve më komplekse të krijuara në historinë e re të Kosovës. Izraeli është shtet mik që ka pranuar refugjatet shqiptar përgjatë luftës, ne shqiptarët këtu kemi ruajtur jetën hebrenjve në kohën e luftës botërore dhe tani kjo çështje është vendosur prapë në fushatë elektorale, jo e nevojshme”, ka thënë kandidati për deputet nga LVV në Debat Pernime.

“Është komplekse të diskutohet edhe në nivelin diplomatik se, qëndrimi i BE-së lidhur me atë se ku duhet të jetë pozicioni ambasadës, është shumë i rëndësishëm, sepse për Kosovën ka rëndësi qëndrimi i Bashkimit Evropian. Mendoj që qeveria Kurti do të ulet me sinqeritetin më të madh të bisedoj edhe me shtetin e Izraelit edhe me BE-në për të tentuar që të zgjidhet kjo nyje që është krijuar pa nevojë nga qeveria e kaluar”, ka deklaruar Haki Abazi.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Valon Murtezaj nga LDK, Haki Abazi nga VV dhe Emilja Rexhepi nga NDS, të cilët do të flasin për ‘Politikën e jashtme’.

Debati transmetohet në orën 20:20 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet gjatë dhjetë ditëve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 14 shkurt.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.