Bankomat - Foto: REL/Reuters

Kryetari i BSPK-së tregon se kur do dalin pagat për mësuesit grevistë

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) Atdhe Hykolli ka thënë se pagat e grevistëve për muajin shtator do të dalin të hënën.

Hykolli në konferencën e BSPK-së ka thënë se për këtë ka pasur një komunikim me Qeverinë.

“Për pagat unë sot kam pas një komunikim me partnerin tonë social dhe sipas tyre ka ndodh një gabim teknik. Unë besoj se të hënë do të ekzekutohen”- ka thënë ai.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka njoftuar zyrtarisht të shtunën se kanë pezulluar grevën e filluar më 25 gusht në administratën publike dhe arsim deri në janarin e vitit 2023.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka dekalruar se greva nuk do të ndërpritet, por do të pezullohet.

Ai ka kërkuar nga Qeveria që ta shfrytëzojë pezullimin e grevës dhe të reflektojë.

“Qeveria dhe opinioni le ta din që greva nuk po mbyllet por po pezullohet deri në janar e vitit 2023.  Këtë rezultat e shton deklarimi i shoqatave tjera sindikale qe nga raporti i tyre thuhet se nga 25 shoqata sindikale 24 janë deklaruar pro pezullimit të grevës”, ka deklaruar Jasharaj.

Gjithashtu, Sindikatat kanë kërkuar që Qeveria t’i realizojë premtimet për Ligjin e Pagave.

Pezullohet greva deri në janar 2023