Kryetarët e komunave që udhëhiqen nga LDK-ja do të përfshihen në listën e kandidatëve për deputetë

Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdon të mbajë qëndrimin se fillimisht duhet të japë dorëheqje kryeministri Kurti e pastaj të bëhet shpërndarja e Kuvendit dhe të caktohet data e zgjedhjeve.

Përmes një postimi në Facebook, LDK ka bërë të ditur se ky vendim është mbështetur edhe në mbajtur mbledhjen e dytë të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie.

Sipas njoftimit, Këshilli i Përgjithshëm e ka autorizuar Kryesinë dhe kryetarin e partisë, Lumir Abdixhiku, që të vazhdojnë me veprimet parazgjedhore.

Po sipas njoftimit, gjatë kësaj mbledhje, Këshilli i Përgjithshëm aprovoi kuotën e ndarjes së nominimeve për listën e deputetëve, nëpër degët e Lidhjes Demokratike.

“Në listën e kandidatëve për deputetë, do të jenë të gjithë kryetarët e komunave të LDK-së; kjo për arsye që e djathta të jetë sa më e fuqishme në zgjedhjet e ardhshme të Kosovës të cilat nuk kanë të bëjnë vetëm me fatin e LDK-së, por fatin e Republikës dhe gjeneratave që vijnë”- thuhet në njoftimin e LDK-së në Facebook.

LDK, thuhet më tej në njoftim është e gatshme për zgjedhjet kurdo që mbahen në Kosovë, prandaj është e vetmja parti që po bën të gjitha përgatitjet dhe po vazhdon takimet me qytetarë anë e kënd vendit.

Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka konfirmuar se nuk kanë gjetur mbështetjen e nevojshme nga partitë tjera opozitare për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

“Sot më 29 maj siç e kam cekur edhe si afat, ndjej keqardhje ju njoftoj se mundësia për shpërndarjen e Kuvendit tashmë është ezauruar, nuk kemi gjetur mbeshtetjen e nevojshme” – tha kreu i PDK-së në një konferencë për media, më 29.05.2024.

Krasniqi tha se është i habitur me mosgatishmërinë e partive tjera opozitare – LDK-së dhe AAK-së për të përkrahur PDK-në për zgjedhje të reja.

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka konsideruar se shanset që Kuvendi të shpërndahet gjatë ditëve të ardhshme janë zvogëluar.

Ai ka përkujtuar se “mazhoranca gjithmonë ka qenë e gatshme që zgjedhjet të ndodhin”, por se sipas tij, kjo nuk duhet të ndodhë vetëm me pajtimin e dy partive politike.

PDK-ja kishte propozuar datat 30.06.2024 ose 07.07.2024 për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe për shkak të afateve ligjore dhe kushtetuese.

Kurse, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se janë të gatshëm për zgjedhje nëse koordinohet opozita, por jo që qeveria të dorëhiqet.