Kryesuesi në Dragash tregon si ndodhën gabimet me vota për PDK-në

101 vota që Partia e Ashkalinjëve për Integrim kishte marrë në një vendvotim të Dragashit dolën të kenë qenë për Partinë Demokratike të Kosovës.

KALLXO.com dje raportoi lidhur me gabimet që janë identifikuar gjatë rinumërimit të venvdotimeve.

Njëri ndër ta ishte edhe vendvotimi me nr.0515A/01D të kryesuar nga kryesuesi Blertan Krrabaj me anëtarët Ruzhdi Qollopeku, Kaltrina Durmishi, Adem Tahir, Elida Dedari dhe Blendiana Sela.

Lidhur me këtë raportim ka reaguar Blertan Krrabaj, kryesues i vendvotimit nga rradhët e  PDK-së.

Ai tha se dëshiron të sqarojë si erdhi te gabimi me këto vota.

“Dua të jap një sqarim edhe pse s’ka diçka të ngjashme me manipulim apo diçka edhe mund të ndodhin gabimet edhe pse s’ka ndodhë por edhe nese ka ndodhë s’ka të bëjë me manipulim aq më pak në dëm të Partisë Demokratike… kam qenë aty me mbrojtë votën e të gjithëve në veçanti të PDK-s”, shkroi ai.

Ai përsëriti se mund të quhet gabim por jo manipulim.

“Kështu që gabimi mund të ndodhë që votat e PDK-së janë bartur gabim te subjekti që është menjëherë poshtë subjektit në fjalë aq më shumë dihet që ne në Dragash nuk kemi nacionalitet rom të cilat pretendohet se janë bartur votat nëse ka ndodhë ka qenë një gabim qe mundeni me vërtetu përderisa për kandidatë votat kanë shku për kandidatët e PDK-së e për subjekt kanë shkuar per subjektin e nacionalitetit rom kështu që dua të them se edhe nëse ka ndodh gabimi asesi manipulimi është përgjegjësi e imja jo e anëtarëve” shtoi ai.

Monitoruesit e KALLXO.com, të cilët janë duke përcjellë procesin e rinumërimit të votave në Dragash, kanë vënë në pah dallime të mëdha që nga hera e parë e numërimit të votave dhe pastaj në rinumërim.

Lidhur me vendvotimin e lartcekur sipas formularëve të KQZ-së në numërim, PDK nuk mori asnjë votë por rinumërimi vuri në pah se në të vërtetë PDK-ja në këtë vendvotim kishte marrë 101 vota e që gjatë shënimit të këtyre votave me apo pa dashje ishte bërë gabim në mes të Partisë Demokratike të Kosovës – PDK dhe Partisë së Ashkalinjëve për Integrim –PAI.

Herën e parë PAI kishte marrë 101 vota, vota të cilat pas rinumërimit u kuptua se kishin qenë të PDK-së.

(Dokument) ‘Vjedhjet’ në mes kandidatëve për deputetë në Gjilan