Kryesuesi i Bordit të RTK-së: Kemi dërguar tetë raste të keqpërdorimeve në Prokurori

Bordi i Radio Televizionit të Kosovës ka raportuar para Komisionit parlamentar punën gjashtë mujore të vitit 2022.

Kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini ka cekur disa nga punët që ka bërë ky bord në gjashtë mujorin e parë të 2022-tës.

Ai tha se deri tash janë dorëzuar në prokurori, tetë dosje.

“Më të marrë mandatin kemi bërë një skanim të gjendjes, pasi kemi identifikuar problemet e shumta gjatë rrugës kemi krijuar edhe disa raste për prokuroi. Janë dorëzuar tashmë 8 dosje për keqpërdorime ndër vite”- ka thënë ai.

Boletini ka thënë se gjatë kësaj kohe Bordi ka mbajtur 60 takime fizike dhe online.

“Kemi punuar me një dinamikë të madhe. Përkundër sfidave nuk do të hyjmë këtë vit në borxhe të reja”- ka thënë ai.

Ai tutje ka thënë se bordi është pajtuar me të gjitha gjetjet e ZKA-së.

Tutje Boletini ka thënë se janë risistemuar rreth 200 punëtorë dhe janë marrë një sërë masa tjera.

Ai ka thënë se janë tetë punëtorë që janë larguar nga puna për shkak të mungesës.

“Janë risistemuar rreth 200 punonjës të rregullt. Nuk janë vazhduar kontratat për shërbime. Janë marrë masa për punëtorët qe s’kanë ardhur në punë. Janë 8 punëtorë që janë larguar për shkak se nuk kanë ardhë në punë. Ka pas prej tyre që kanë jetuar jashtë vendit”- ka thënë Boletini.

Ai po ashtu ka folur për funksiononin online të RTK-së, duke shtuar së për herë të parë ka filluar publikimi i lajmeve në gjuhë tjera.

“Një prej pikave ka qenë edhe mbikëqyrja e mediave online që i kemi gjet në gjendje jo të mirë. Në javët e fundit për herë të parë kemi një grup redaktoresh të cilët shikojnë çdo lajm para se të publikohet. RTK ka filluar publikimin e lajmeve në gjuhë tjera në portal. Kemi kriju fact checking”- ka thënë tutje kryetari i Bordit.

Boletini ka folur edhe për raportin e Progresit.

Ai shtoi se është shumë e rëndësishme theksimi për shtrirjen e sinjalit në veri.

“Është e rëndësishme që nuk është theksuar se RTK-ja është ndikuar politikisht. Dhe për këtë mund të themi që qëndron më mirë se shumica e televizioneve private. Me politikën editoriale të RTK-së punohet me objektivitet dhe profesionalizëm”- përfundoi ai.