Foto: ZKM

Kryeministri Kurti shkoi për ngushëllime në familjen e Lulzim Fejzullahut

Kryeministri Albin Kurti ka shkuar sot për ngushëllime në familjen e Lulzim Fejzullahut, 18-vjeçarit që vdiq më 20 janar, gjashtë ditë pas plagëve që mori nga goditja me veturë e më pas me mjete të forta nga dy bashkëmoshatarë në Podujevë.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, pasi shprehu ngushëllime në emër të tij dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Kurti ka thënë se humbja e jetës së një të riu në mënyrë tragjike ka tronditur të gjithë dhe është dhembje e madhe jo vetëm për familjen e tij por edhe për mbarë vendin.

“Të rinjtë te moshatarët e tyre duhet gjithmonë të shohim potencialin e shoqërisë dhe shoqërimit, asnjëherë të kërcënimit dhe sulmit. I ndjeri, Lulzim Fejzullahu ishte fëmijë jetim që ka pasur nevojë për mbështetje e kujdes nga të gjithë për një jetë të përmbushur. Sot, rasti i tij tragjik duhet të jetë moment reflektimi për të gjithë” – citohet të ketë thënë kryeministri.

Sipas Kurtit, vrasja mizore e Lulzim Fejzullahut duhet të jetë alarm për të gjithë, përfshirë institucionet, për të punuar më shumë me të rinjtë dhe të rejat, që të orientohen sa më shumë drejtë arsimimit dhe edukimit, në mënyrë që të mos e shohin dhunën si zgjidhje dhe që të qëndrojnë sa më larg sjelljeve agresive dhe akteve të dhunës që mund të përfundojnë me pasoja tragjike.

Kryeministri Kurti bëri thirrje që organet e sigurisë dhe drejtësisë ta trajtojnë këtë rast me përgjegjësinë më të lartë dhe bëri thirrje për drejtësi.

Në këtë vizitë për ngushëllime, kryeministri ishte i shoqëruar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministri I Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe deputetë të Kuvendit, përfaqësues komunalë dhe aktivistë.