(Arkiv) - Foto: ZKM

Kryeministri Kurti pritet të takohet me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pritet që në ditët në vijim të zhvillojë një takim me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan si dhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Hakan Fidan.

Kjo u bë e ditur nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, e cila njoftoi për takimin e Kurtit që e zhvilloi me ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı.

“Ky takim u zhvillua në prag dhe të vizitës zyrtare të kryeministrit Kurti në Ankara dhe Stamboll ditët e ardhshme” – tha Zyra e Kryeministrit.

Tutje u tha se në Stamboll do të mbahet edhe Forumi i parë Ekonomik mes Republikës së Kosovës dhe Turqisë, ku do të marrin pjesë biznese të shumta nga Kosova dhe Turqia si një mundësi unike për të zgjeruar mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar.

“Gjatë bashkëbisedimit, u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe dhe rëndësia e bashkëpunimit në projekte të përbashkëta edhe në fushat e kulturës, mbrojtjes dhe investimeve. Dy vendet tona ndajnë marrëdhënie të shkëlqyeshme bilaterale andaj dhe thellimi e përforcimi i tyre mbetet objektiv i dyanshëm” – theksohet në njoftim.

Po ashtu Zyra e Kryeministrit tha se kryeministri shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë e popullit të saj ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës, veçanërisht për rolin e saj në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare e përkrahjen e palëkundur së fundmi për aderim në Këshillin e Europës.