Kryeministri Kurti ia kërkon Greqisë njohjen e pavarësisë së Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një paraqitje në Forumin Ekonomik të Delfit, ka folur për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Ai ka deklaruar se ka ardhur koha që Greqia të njohë pavarësinë e Kosovës duke shtuar se kjo njohje do të ndihmonte vendin për të përfituar njohje tjera.

“Ne kemi komunikim dhe bashkëpunim shumë të mirë me Greqinë. Populli i Kosovës me popullin grek, dhe Qeveria e Kosovës me Qeverinë greke nuk ka çështje të pazgjidhura, pra ka një urë që duhet ta kalojmë”, tha Kurti

“Ka ardhur koha që Greqia të njohë Kosovën dhe para kësaj e sidomos pas kësaj do të mund të rrisnim bashkëpunimin tonë ekonomik me investime ekonomike por edhe këmbimet tona tregtare. Besoj që Greqia është liderë rajonale dhe do të mund të ndihmonte Kosovën shumë në përfitimin e njohjeve tjera pastaj”, ka thënë Kurti.

Ai gjithashtu tha se ka rritur buxhetin për mbrojtjen për shkak se dëshiron anëtarësimin në NATO dhe BE.

“Kemi rritur buxhetin për mbrojtjen për shkak se duam t’i bashkohemi NATO-s dhe në këtë orientim, programi i partneritetit për paqe është ai caku ynë kryesor. Duam të hyjmë në NATO dhe në BE por ka gjasë dhe është shumë e mundshme që për shkak të faktorëve të shumtë më së pari të hyjmë në NATO se në BE”, tha Kurti.

Tutje, ai ka thënë Kosova është një vend që kërkon njohje të reja, me theks të veçantë nga vendet në kontinentin evropian.

“Kosova është një vend demokratik ku opozita mund të fitojë dhe njëkohësisht jemi vend që kërkon njohje të reja në botë por, në veçanti në kontinentin e evropian sepse kemi pesë shtete që nuk na kanë njohur në BE dhe katër të tilla në NATO dhe shpresoj që edhe këto shtete do t’i bashkohen së shpejti shumicës së shteteve për anëtarësim që janë qenësore jo vetëm për gjeneratën tonë”, deklaroi Kurti.