Flamuri i Kanadasë, Foto: Qeveria kanadeze

Kryeministri kanadez urdhëra emergjence për të ndalur protestat

Kryeministri kanadez Justin Trudeau ka vendosur të ushtrojë autoritetin që i jep ligji në rrethana emergjencash për të ndalur demonstratat që kanë paralizuar kryeqytetin dhe kanë bllokuar pikat kufitare në formë proteste ndaj kufizimeve kundër COVID-19ës.

Trudeau e bëri njoftimin të hënën në një fjalim drejtuar kombit, pasi zhvilloi një takim virtual me drejtuesit e provincave të Kanadasë.

“Këto bllokada janë të paligjshme, dhe nëse jeni ende duke marrë pjesë, tani është koha që të shkoni në shtëpi”, tha Trudeau.

Protestat e “Autokolonës së Lirisë” u filluan nga shoferët kanadezë të kamionave, të cilët kundërshtonin urdhëresat e qeverisë për t’u vaksinuar ose karantinuar. Demonstratat kanë tërhequr tashmë protestues të zemëruar për kufizimet e tjera për pandeminë, si dhe për politikat e administratës së zotit Trudeau.

Kryeministri Trudeau ka vendosur aktivizimin e Ligjit për Emergjencat të miratuar në vitin 1988, i cili i lejon qeverisë federale të tejkalojë autoritetin e provincave të Kanadasë.

Një variant i mëparshëm i këtij ligji është përdorur vetëm një herë në kohë paqeje, nga babai i zotit Trudeau, ish-Kryeministri Pierre Trudeau. Ai përdori fuqitë e këtij ligji në vitin 1970, kur një grup militantësh nga Kebeku rrëmbyen një diplomat britanik dhe një ministër të qeverisë së provincës.

Kryeministri Trudeau tha se masa e re e emergjencës “do të jetë e kufizuar, gjeografikisht e përcaktuar, si dhe e arsyeshme dhe në përputhje me rreziqet me të cilat duhet të përballet”.

Të dielën, policia kanadeze largoi një karvan automjetesh që bllokonin Urën Ambassador që lidh Kanadanë me Shtetet e Bashkuara, pasi provinca e Ontarios shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për të shpërndarë demonstratat.

Autokolona kamionësh dhe mjetesh të tjera kanë mbingarkuar rrugët e kryeqytetit kanadez, Otava, për mbi dy javë, dhe autokolona të tjera kanë bllokuar pika të tjera më të vogla kufitare me Shtetet e Bashkuara./VOA