Përditësime mbi krizën në Ukrainë: Çfarë duhet të dini ndërkohë që tensionet po rriten
(AP Photo/Alexander Zemlianichenko)
Rusia ka vendosur më shumë se 100,000 trupa pranë kufirit të Ukrainës dhe i ka maksimizuar lojërat e luftës në rajon.
Moska mohon se po planifikon një sulm, por Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në NATO kanë frikë se Rusia po planifikon luftë – dhe po bëjnë përgatitjet e tyre.
Si më poshtë lexoni disa të dhëna lidhur me tensionet ndërkombëtare mbi Ukrainën, një krizë që ta kujton Luftën e Ftohtë.
SHBA THOTË JO
Shtetet e Bashkuara nuk kanë bërë asnjë koncesionndaj kërkesave kryesore ruse për Ukrainën dhe NATO-n në një përgjigje të shumëpritur me shkrim të dorëzuar Rusisë të mërkurën në Moskë, tha Sekretari i Shtetit Antony Blinken.
Blinken tha se përgjigja e SHBA-së, e dorëzuar në Ministrinë e Jashtme ruse nga ambasadori i SHBA-së në Rusi, John Sullivan, nuk hoqi dorë mbi “parimet esenciale” të tilla si politika e anëtarësimit me dyer të hapura të NATO-s dhe prania ushtarake e aleancës në Evropën Lindore.
Blinken tha se dokumenti e bën të qartë se SHBA-ja po i qëndron pozicionimeve të saj të deklaruara shpesh. “Nuk ka ndryshim, nuk do të ketë ndryshim”, tha ai. Por, ai tha se përgjigja me shkrim ndaj Rusisë përmban gjithashtu oferta “serioze” për një rrugë diplomatike për të ulur tensionet në rritje mbi Ukrainën, duke adresuar shqetësimet ruse për çështje të tjera.
Përgjigja e SHBA vjen pasi Rusia po paralajmëron se do të marrë shpejt “masa hakmarrëse” nëse SHBA dhe aleatët e saj refuzojnë kërkesat e saj të sigurisë dhe vazhdojnë politikat e tyre “agresive” mbi Ukrainën.
Rusia ka kërkuar garanci që NATO të mos e pranojë kurrë Ukrainën dhe vendet e tjera ish-sovjetike si anëtarë dhe që aleanca të tërhiqte dislokimet e trupave në vendet e ish-bllokut sovjetik, një rajon që Moska ende e sheh si sferën e interesit të saj.
ÇFARË THONË LIDERËT UKRAINASË?
Zyrtarët ukrainas kanë kërkuar qetësimin e nervave ndërkohë që tensionet përshkallëzohen.
Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha të mërkurën se ndërsa koncentrimi i trupave ruse pranë Ukrainës përbën një kërcënim, “numri i tyre tani është i pamjaftueshëm për një ofensivë në shkallë të gjerë”.
“Atyre u mungojnë ende disa elementë dhe sisteme kryesore ushtarake për të ndërmarrë një ofensivë të madhe, në shkallë të plotë”, u tha Kuleba gazetarëve.
Ai gjithashtu vuri në dukje se shkaktimi i alarmit mund të jetë një qëllim në vetvete. Rusia, tha ai, shpreson ta destabilizojë Ukrainën duke “përhapur panik, duke rritur presionin mbi sistemin financiar të Ukrainës dhe duke nisur sulme kibernetike”.
CILI ËSHTË DISPONIMI NË LINE FRONTIN E UKRAINËS?
Ushtarët dhe civilët në Ukrainën lindore po presin me një parashikim të pafuqishëm për të parë nëse do të vijë lufta.
Ata e kuptojnë se fatin e tyre e vendosin politikanët në kryeqytetet e largëta. Edhe politikanët në kryeqytetin e tyre, Kiev, e kanë gjetur veten në periferi të disa raundeve të diplomacisë së lartë, të cilat deri më tani nuk kanë shënuar ndonjë progres.
Ky rajon i shkatërruar nga betejat ka luftuar me luftëtarët separatistë pro-rusë që nga viti 2014. Është një zonë afër ku Rusia ka grumbulluar dhjetëra mijëra ushtarë në një grumbullim trupash për të cilën presidenti i SHBA Joe Biden thotë se mund të krijojë pushtimin më të madh që nga Lufta e Dytë Botërore.
ÇFARË PO NDODH NË FRONTIN DIPLOMATIK?
Të dërguarit nga Rusia, Ukraina, Franca dhe Gjermania u takuan të mërkurën për më shumë se tetë orë në Paris për të diskutuar konfliktin separatist në zemrën industriale lindore të Ukrainës. Megjithëse nuk pati ndonjë progres në këtë drejtim, ata premtuan se do të takoheshin për bisedime të reja pas dy javësh në Berlin.
Zyra e presidentit francez tha më pas në një deklaratë se palët mbështesin “respektimin e pakushtëzuar” për një armëpushim në Ukrainën lindore.
Përfaqësuesi ukrainas, Andriy Yermak, u tregua një optimist i kujdesshëm. Ai gjithashtu pranoi se bisedimet e së mërkurës nuk trajtuan drejtpërdrejt tensionet aktuale në kufi ose nuk zgjidhën dallimet e së kaluarës.
CILI ËSHTË POZICIONI I BRITANISË SË MADHE?
Sekretarja e Jashtme britanike Liz Truss u ka kërkuar vendeve evropiane të bëjnë më shumë për ta mbështetur Ukrainën, duke thënë se “ne do të dëshironim që aleatët tanë të bënin më shumë për të ndihmuar në ofrimin e mbështetjes mbrojtëse për Ukrainën”.
Britania e Madhe ka dërguar armë antitank në Ukrainë, si kundërpërgjigje ndaj trupave ruse të grumbulluara pranë kufirit të saj. Ajo ka përjashtuar dërgimin e trupave luftarake, por Truss tha se Britania “nuk ka përjashtuar asgjë për sa i përket sanksioneve”.
“Në fakt, ne do të nxjerrim ligje për ta forcuar regjimin tonë të sanksioneve dhe do të sigurohemi që jemi plotësisht në gjendje të godasim si individët, ashtu edhe kompanitë dhe bankat në Rusi në rast të një invadimi”, tha ajo për BBC.
“Ajo që është e rëndësishme është që të gjithë aleatët tanë të bëjnë të njëjtën gjë, sepse nëpërmjet veprimit kolektiv, duke i treguar Vladimir Putinit se jemi të bashkuar, do të ndihmojmë në parandalimin e një invadimirus”.
ÇFARË PO BËN GJERMANIA?
Në mesin e aleatëve të NATO-s, Gjermania në veçanti është përballur me thirrje për të ndihmuar më shumë Ukrainën dhe është fajësuar për një perceptim se ajo po i jep prioritet lidhjeve të saj ekonomike me Rusinë përmbi sigurinë e Ukrainës.
Mes këtij sfondi, ministrja gjermane e Mbrojtjes Christine Lambrecht tha se Gjermania do t’i dorëzojë Ukrainës 5,000 helmeta ushtarake pas një kërkese nga ambasada e Ukrainës. Ajo tha se ishte “një sinjal shumë i qartë se ne qëndrojmë në anën tuaj”.
Ambasadori i Ukrainës në Gjermani përshëndeti dorëzimin e planifikuar të helmetave, por e përshkroi atë si një “gjest thjesht simbolik”. Andriy Melnik i tha agjencisë gjermane të lajmeve DPA se “kjo është vetëm një pikë në oqean”.
Ai shtoi se “Ukraina pret një kthesë 180 gradëshe nga qeveria gjermane, një ndryshim i vërtetë paradigme”.
Gjermania ka thënë se nuk do të dorëzojë armë vdekjeprurëse në Ukrainë.
Megjithatë, ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock këmbënguli të mërkurën se qëllimi i përbashkët i Bashkimit Evropian në krizën e Ukrainës “është dhe mbetet mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”.
ÇFARË DUAN BIZNESET ITALIANE?
Ashtu sikurse gjermanët, disa italianë dyshohen se i vendosin lidhjet e biznesit me Rusinë përpara solidaritetit me Ukrainën.
Të mërkurën, drejtuesit e biznesit italian mbajtën një video-konferencë me presidentin rus Vladimir Putin edhe pse qeveria e Romës kërkoi që konferenca të anulohej, ose të paktën që kompanitë me aksione qeveritare të mos merrnin pjesë.
Gjatë bisedës, Putin nënvizoi rolin e Italisë si partneri i tretë më i madh tregtar i BE-së, me 5 miliardë dollarë të investuar nga kompanitë italiane në Rusi dhe 3 miliardë dollarë nga kompanitë ruse në Itali.
Presidenti i Dhomës së Tregtisë italo-ruse, Vincenzo Trani, tha se të dy vendet kanë qenë gjithmonë në gjendje ti kapërcejnë “faktorët sfidues të jashtëm në vitet e fundit … përmes dialogut”.
Pjesëmarrësit përfshinin Marco Tronchetti Provera, Shef Ekzekutiv i gomave Pirelli, i cili është president i komitetit italian të sipërmarrësve rusë. La Repubblica tha se Shefi Ekzekutiv i kompanisë së naftës ENI dhe kompanisë së infrastrukturës energjetike SNAM, të cilat janë pjesërisht në pronësi të shtetit, e anuluan video-konferencën.
PO, ME ATO KOMENTE NE KROACI?
Kryeministri i Kroacisë kërkoi të mërkurën të zbuste një poterë pasi presidenti i vendit tha se “Ukraina nuk i përket NATO-s” dhe trupat kroate nuk duhet të jenë pjesë e asnjë force kundërpërgjigjeje perëndimore në rast lufte.
Presidenti Zoran Milanoviq është i njohur për deklarata të stilit populist dhe jodiplomatike. Deklaratat e tij të martën zemëruan Ukrainën, e cila e thirri ambasadorin e Kroacisë për të dhënë një përgjigje lidhur me këtë deklaratë.
Kryeministri Andrej Plenkoviq i përshkroi komentet e Milanoviqit si “joreale në shumë mënyra” dhe tha se Kroacia, një anëtare e NATO-s dhe BE-së, do të vazhdojë të ketë marrëdhënie “miqësore dhe partnere” me Ukrainën.
“Unë mund të flas në emër të qeverisë kroate”, tha Plenkoviq. “Pozicioni thelbësor i Kroacisë është respektimi i integritetit territorial të Ukrainës”.
ÇFARË PO BËN KANADAJA?
Kanadaja po zgjat misionin e saj për të trajnuar ushtarët ukrainas me tre vjet tjera. Kryeministri Justin Trudeau tha të mërkurën se Kanadaja do ta zgjerojë gjithashtu misionin, i njohur si Operacioni UNIFIER.
Trudeau tha se ka autorizuar Forcat e Armatosura Kanadeze për të vendosur një staf prej 60 personash për t’iu bashkuar 200 trupave tashmë në terren, me kapacitet të mëtejshëm për ta rritur atë numër deri në 400. Ai tha se Kanadaja do të sigurojë gjithashtu pajisje jovdekjeprurëse, bashkëpunim në inteligjencë dhe mbështetje për të luftuar sulmet kibernetike.
“Ne po shohim tani në mbarë botën një regres demokratik, një sulm ndaj parimeve demokratike në forma të ndryshme”, tha Trudeau. “Por kërcënimi i drejtpërdrejtë i një pushtimi rus, për të marrë kontrollin e Ukrainës, për ta marrë të drejtën e zgjedhjes së popullit ukrainas për të zgjedhur të ardhmen e tyre…. Është diçka që na shqetëson të gjithë ne që e duam demokracinë”.
ÇFARË DO PAPA FRANÇESKU?
Papa Françesku u lut që liderët politikë ti lënë mënjanë interesat personale dhe ta lejojnë dialogun të mbizotërojë mes shqetësimeve për një pushtim rus të Ukrainës.
Papa Françesku nisi një lutje njëditore për paqen në Ukrainë të mërkurën me një thirrje të veçantë në fund të audiencës së tij të përgjithshme javore. “Ju lutem, kurrë më luftë,” tha Françesku. “Le t’i kërkojmë me ngulm Zotit që në këtë tokë vëllazëria t’i mposhtë plagët, frikërat dhe përçarjet.”
Duke vënë në dukje se e enjtja shënon Ditën e Përkujtimit të Holokaustit, Papa Françesku tha se ukrainasit kishin vuajtur mizori të jashtëzakonshme gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Ata e meritojnë paqen”, tha ai./AP