FOTO: Komuna e Gjakovës/Facebook.

Krerët e shtetit përkujtojnë 24-vjetorin e Masakrës së kryer nga forcat serbe në shtëpinë e familjes Vejsa në Gjakovë

Kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani kanë përkujtuar 24-vjetorin e masakrës në shtëpinë e familjes Vejsa në Gjakovë.

Kreu i Qeverisë ka cituar një deklaratë që e ka dhënë një dëshmitar nga organizata ndërkombëtare joqeveritare “Human Rights Watch” lidhur me këtë masakër.

“Kufomat në shtëpinë e Vejsave ishin krejt të karbonizuara. Unë shkova të merrja batanije në spital, por ata nuk kishin më shumë se një copë. Nëntëmbëdhjetë trupa të karbonizuar u mbështollën me një batanije. U varrosën në tre varre”, citohet një dëshmitar nga Human Rights Watch” – ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai ka thënë se në natën mes 1 dhe 2 prillit 1999, në lagjen e parë në Gjakovë, forcat serbe masakruan e vranë mbi 60 civilë shqiptarë.

“Në shtëpitë e tyre, i dogjën të gjallë e të vdekur anëtarët e familjeve Vejsa, Hoxha, Haxhiavdija, Caka, Gashi dhe Nuçi. Mosha e të vrarëve ishte nga 2 deri në 75 vjeç. Krimet e luftës, gjenocidi e krimet kundër njerëzimit nuk janë të kaluara derisa dikush nuk merr përgjegjësi e denim për to” – ka shkruar shefi i ekzekutivit teksa është shprehur se krimet e Serbisë në Kosovë nuk mund të zhduken e as të harrohen.

“Ne i përkujtojmë në secilin përvjetor për të mos i harruar kurrë. Sot përkujtojmë të vrarët në Gjakovë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për ta!” – ka përmbyllur ai.

Ndërkaq, Presidenca ka bërë të ditur se presidentja Osmani ka përkujtuar 24-vjetorin e Masakrës në shtëpinë e familjes Vejsa.

“Presidentja Vjosa Osmani ka përkujtuar 24-vjetorin e Masakrës në shtëpinë e familjes Vejsa.24- vjet më parë, familjet Vejsa, Caka, Haxhiavdija, Nuqi, Hoxha dhe Gashi, të strehuar në bodrumin e familjes Vejsa, përjetuan egërsinë e regjimit gjenocidal të Serbisë, i cili vrau mizorisht dhe më pas i dogji 20 gra, fëmijë dhe një burrë. Drejtësi për viktimat dhe kujtim i përhershëm për to!” – thuhet në njoftimin e Presidencës.