Krasniqi: Bandat kriminale e pamundësuan takimin e kryetarit Hetemi me drejtorët e rinj të sapoemëruar

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka thënë se sot “bandat kriminale” e kanë pamundësuar takimin e Kryetarit të Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, me drejtorët e rinj të sapoemëruar.

Krasniqi këtë e ka thënë përmes një postimi në Facebook, ka pasur edhe kritika për KFOR-n në menaxhimin e situatës.

“Në anën tjetër, menaxhimi i këtyre bandave ishte me shumë lëshime dhe aspak profesional nga ana e KFOR-it”-ka thënë ai.

Sipas Krasniqit, personat që  sot në mënyrë aktive kanë udhëhequr dhe organizuar këto grupe kriminale janë: Ish-kryetari i Komunës së Leposaviqit Zoran Todiq, ish-deputeti Slavko Simiq  dhe ish-polici Filipoviq.

“Është e paligjshme dhe e papranueshme të barazohen përfaqësuesit legjitim e lega me personat me maska. Por, për dhunën e sotme adresa është evidente dhe e qartë”- ka thënë ministr.

Kreu i MAPL-së ka shtuar se Prokuroria duhet të merret me urgjencë me këta përgjegjës dhe banda kriminale prapa tyre për sulmin dhe dhunën ndaj gazetarëve dhe dëmtimin e pasurisë publike.

Kryetari i Komuëns së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, që nga 29 maji gjendet brenda komunës.

Tensionet në veri u rritën në fund të majit, kur Policia e Kosovës i ndihmoi kryetarët të futen në ndërtesat komunale, me gjithë kundërshtimet e serbëve lokalë.

Ato kulmuan më 29 maj, kur protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarë të KFOR-it.

Dhjetëra të plagosur u raportuan nga të dyja anët.

Bashkësia ndërkombëtare kërkon nga Kosova që menjëherë ta shtensionojë situatën, përkatësisht t’i tërheqë njësitë speciale të policisë nga veriu, të organizojë zgjedhje të reja lokale dhe të kthehet në dialog me Serbinë.

Nga Beogradi zyrtar, në anën tjetër, kërkohet që të sigurojë pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve në zgjedhjet e mundshme lokale.

Kërkesë e protestuesve serbë, deri më tash, ishte tërheqja e forcave speciale të Kosovës, si dhe lirimi i të arrestuarve për pjesëmarrje në protesta.

Policia e Kosovës arrestoi gjashtë persona të dyshuar për pjesëmarrje në veprimtari kriminale, por vetëm tre prej tyre iu shqiptua masa e paraburgimit prej një muaji.

I fundit që u arrestua ishte Millun Millenkoviq – Llune, për të cilin autoritetet kosovare pretendojnë se është një nga organizatorët e sulmeve ndaj KFOR-it në Zveçan. Ai akuzohet për terrorizëm, ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues dhe rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare.

Qeveria e Kosovës beson se për shkak të arrestimit të tij, Serbia ka rrëmbye”, siç thonë, tre policë kosovarë në komunën e Leposaviqit.

Beogradi zyrtar pretendon se ata janë arrestuar në territorin e Serbisë.