Foto: KALLXO.com

KQZ jep detajet nga rinumërimi në QNR

Dje pasdite në ora 16:00 filloi rinumërimi i 1,428 vendvotimeve. Ky rinumërim erdhi pas një vendimi të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa pasi në adresë të këtij organi u ankuan disa parti politike e disa kandidatë për deputetë.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi, tha se deri më tani janë numëruar 50 vendvotime.

“Janë rinumëruar 50 vendvotime gjatë ndërrimit të dytë. Ky proces ka filluar të mërkurën pasdite. Rinumërimi do të vazhdojë sipas planifikimeve”, deklaroi ai.

Ai ka njoftuar se QNR ka shtuar numrin e tavolinave në të cilat bëhet rinumërimi i votave ndërsa, për këtë proces tha se janë njoftuar edhe partitë politike.

“Qendra e Numërimit dhe Rezultateve do të punojë në 2 ndërrime si dhe është shtuar numri i tavolinave apo njësive të numërimit nga 23 në 32, në mënyrë që të arrijmë që sa më shpejt të përmbyllim të gjithë këtë proces. Për të vëzhguar procesin e rinumërimit janë njoftuar edhe subjektet politike, të cilat mund të dërgojnë nga 1 vëzhgues për secilën njësi numërimi”, ka thënë Elezi.

KQZ ka shpallur rezultatet përfundimtare një ditë e një muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 6 tetor.

Sipas këtyre rezultateve, forca politike më e madhe në vend doli Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit me 32 deputetë që u pasua nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 29 deputetë.

Por, një ankesë e koalicionit NISMA-AKR-PD në adresë të PZAP-së, ndërroi numrin e ulëseve të partive politike në Parlament, pasi vendimi i këtij institucioni obligoi KQZ-në që mbi 3 mijë vota të ardhura nga Serbia të hiqen nga rezultatet përfundimtare.

Ndaj këtij vendimi të PZAP-së, tre kandidatë për deputetë të LVV-së janë ankuar në Gjykatën Supreme por ende nuk është marrë ndonjë vendim.

PZAP, dy vendime të ndryshme për të njëjtën ankesë të Nismës për votat nga Serbia

www.kallxo.com