Zgjedhjet Qendrore 2021, KQZ, kutia e votimeve

KQZ ia ktheu kandidatët 30 subjekteve politike, ishin dënuar brenda 3 viteve të fundit

Personat të cilët kanë vendim përfundimtarë të gjykatës me anë të së cilës janë të shpallur fajtor për vepra penale në tri vitet e fundit nuk mund të jenë kandidatë në zgjedhjet lokale të tetorit, as në garë për kryetar komune e as për këshilltar komunal.

Pavarësisht kësaj, 30 subjekte politike nuk e kanë respektuar këtë ligj.

“Duke u mbështetur në përgjigjet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës rezulton se 30 subjekte politike nga 93 sa janë paraqitur për pjesëmarrje në zgjedhje, kanë kandidatë të cilët nuk janë në pajtueshmëri me Nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme”, tha gjatë konferencës për media zëdhënësi i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

Duke mos dhënë më shumë detaje ai shtoi se të gjitha subjektet politike kanë të drejtë t’i zëvendësojnë kandidatët paraprakë me kandidatë të rinj.

KQZ-ja do të marrë vendimet për certifikim, më së largu deri më 1 shtator.

“Në përgjithësi, janë 160 kandidatë nga lista prej më shumë se 5 mijë e 200 kandidatësh, të cilët kanë kërkuar të certifikohen qoftë në zgjedhjet për Kryetar Komune apo për Kuvende Komunale, por që kanë së paku një vendim përfundimtar të gjykatës me anë të të cilit janë shpallur fajtor për vepër penale në tri vitet e fundit”, bëri të ditur tutje.

Në rast të moscertifikimit të ndonjë kandidati apo subjekti, pala e pakënaqur me vendimin e KQZ-së mund të paraqes ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme. Të gjitha këto çështje, planifikohet të përfundojnë deri më 6 shtator.

Afati i fundit për tërheqjen e shortit është data 8 shtator.

Zgjedhjet komunale në Kosovë do të mbahen më 17 tetor.