Komisioni i Pavarur per Media/KPM

KPM: Këto janë 3 obligimet që operatorët kabllorë i kanë ndaj konsumatorëve

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka shqyrtuar ankesat e qytetarëve në lidhje me largimin e kanaleve të platformës televizive nga Shqipëria ‘DigitAlb’, që transmetoheshin në Kosovë përmes operatorëve kabllorë, kishin ndaluar transmetimin.

Jeton Mehmeti, kryetar i KPM-së ka treguar se janë tri obligime që kanë operatorët ndaj konsumatorëve dhe KPM-së.

Sipas tij, njëri nga obligimet është që operatori duhet të njoftohet 30 ditë më herët për ndryshim të pakos.

“Qytetari duhet të njoftohet 30 ditë më herët në rast se diçka do të ndryshohet nga pakoja për të cilën ai është zotuar apo do të merr shërbime dhe kjo nuk ka ndodhur. Është obligim ligjor nga ana e operatorit që listën e kanaleve t’ua ofrojnë konsumatorit se bashku me kontratë dhe e treta njoftimi i KPM-së për ndryshimin në katalog të programeve, pra përveç konsumatorit, operatori i shpërndarjes e ka obligim që ta njoftojë edhe rregullatorin në rast se do të ndryshojë diçka nga katalogu i programeve për të cilat ka marrë licencë” – tha Memeti.

Komisioni i Pavarur për Media ka gjobitur me 100 mijë euro katër operatorët kabllorë.

Me 64 mijë euro operatorin ‘Artmotion’, me 26 mijë euro operatorin kabllor ‘Kujtesa’, me 7 mijë euro operatorin ‘Ipko’ dhe me 3 mijë euro operatorin ‘Telkos’.

Kjo pas ankesave të qytetarëve ndaj këtyre operatorëve të cilët kishin ndaluar transmetimin e kanaleve të platformës “Digitalb” pa paralajmërim.

Qytetarët kishin raportuar se edhe pse kanë bërë abonime vjetore në disa nga operatorët e kabllorëve ku kanë qenë të përfshira edhe kanalet sportive që e transmetojnë Premier Ligën angleze, tanimë atyre u është ndalur transmetimi.

KPM dënon me gjobë Artmotion, Kujtesën, Ipkon dhe Telkosin pas ankesave të qytetarëve