Jeton Mehmeti, KPM

KPM dënon me 30 mijë euro gjobë emisionin “Big Brother Vip Kosova”

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka dënuar me 30 mijë euro gjobë emisionin “Big Brother Vip Kosova”, të transmetuar në Klan Kosova.

Kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti, tha se ky vendim është marrë pas një varg ankesash, që i kanë pranuar e që lidhen me promovimin e dhunës në baza gjinore, përdorimin e gjuhës denigruese për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian dhe mosreagimin ndaj gjuhës fyese ndaj komuniteteve fetare.

“KPM ka pranuar 8 (tetë) ankesa në lidhje me shfaqjen televizive “Big Brother” dhe ka gjetur se pesë prej tyre kanë bazë në Kodin e Etikës së KPM-së. Qëllimi i vendimit të sotëm është mosnormalizimi i dhunës në baza gjinore në përmbajtjet mediale në çfarëdo forme.” – tha Mehmeti për KALLXO.com.

Këtë vendim e kanë mirëpritur Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës dhe juristja e të drejtës së medias, Flutura Kusari, të cilat kishin parashtruar ankesë ndaj këtij emisioni.

“Ky është një vendim historik i KPM-së – bazuar në tetë ankesa – që tregon se në Kosovë nuk kalon promovimi i dhunës ndaj grave, denigrimi i komuniteteve dhe dëmtimi i fëmijëve përmes përmbajtjes televizive.” – ka shkruar Kusari.

Hyrja e të denoncuarit për dhunë në familje, Atilla Kardesh në spektaklin televiziv, shtëpinë e “Big Brother Vip Kosova”, ku ishte edhe ish-partnerja e tij, Drenusha Latifi, e cila e kishte akuzuar atë edhe publikisht për dhunë në familje, kishte ngjallur pakënaqësi të mëdha në opinionin publik.

Ashpër kishte reaguar edhe Ministrja e Drejtësisë, e cila kishte kërkuar nga Klan Kosova që Atilla Kardesh të largohej nga ky emision.

Ministrja pati thënë se hyrja e tij përveç të tjerash ka për qëllim minimizimin e normalizimin e një fenomeni të rrezikshëm, me të cilin po përballet shoqëria jonë – siç është dhuna në familje.

KALLXO.com kishte kontaktuar Klan Kosovën për të marrë një qëndrim, pas ankesës së parashtruar në KPM, mirëpo mediumi nuk ka kthyer përgjigje.

Edhe organizatat e Shoqërisë civile kishin reaguar ashpër – edhe me aksione – duke akuzuar Klan Kosovën për normalizim të dhunës ndaj grave.

Kjo temë ishte diskutuar edhe në Komisionin parlamentar për të Drejtat e Njeriut, ku ishte ftuar KPM-ja për të raportuar për këtë rast.

Pak ditë pas hyrjes së tij, Kardesh ishte larguar nga shtëpia e “Big Brother”, më 06.11.2024.

Atilla Kardesh është ish-bashkëshorti i Drenusha Latifit, e cila që nga fillimi i këtij edicioni të “Big Brother Vip Kosova” ka qenë banore e shtëpisë.

Latifi kishte denoncuar Kardeshin për dhunë ndaj saj, duke treguar edhe publikisht që gjatë kohës sa ka qenë e martuar me këtë të fundit ka pësuar dhunë fizike nga ai.