I denoncuari për dhunë në familje, Atilla Kardesh, largohet nga 'Big Brother Vip Kosova'
I denoncuari për dhunë në familje, Atilla Kardesh, është larguar të mërkurën, më 06.11.2024, nga spektakli televiziv – shtëpia e “Big Brother Vip Kosova”.
Hyrja e tij shkaktoi reagime të ashpra nga shoqëria civile e institucionet për shkak se brenda shtëpisë është edhe ish-bashkëshortja e tij, Drenusha Latifi, e cila e kishte denoncuar atë për dhunë në familje. Largimin e Kardesh nga spektakli televiziv e ka kërkuar edhe Ministria e Drejtësisë.
“Big Brother” (Vëllai i Madh) është një spektakël televiziv i cilësuar ndryshe edhe si eksperiment social, pjesë e së cilit bëhen disa banorë që jetojnë në një shtëpi për disa muaj dhe e cila vëzhgohet nga kamerat.
Para se të largohet nga “Big Brother”, Kardesh mbajti një fjalim para banorëve duke thënë se ai ka hyrë në shtëpi për t’i treguar Latifit se “mirëqenia e dy fëmijëve të tyre ka më së shumti rëndësi.”
“Ka pasë shumë hipoteza përse jam unë këtu, a lojë a me i qetësu gjanat, a me i shpjegu gjanat, a me ju shti me menu, a me kërku falje. Kështu që siç e dini, unë e Drenusha i kemi dy fëmijë jashtë. Kemi qenë 10 vjet bashkë, ka pasë momente të mira, ka pas momente të këqija, si gjithë krejt. Nuk kemi ditë me i kry këto punë. Dy fëmijë kanë hy në lojë, psiqika e fëmijëve, mirëqenia e tyre, edhe që nga unë e që nga ajo” – tha Kardesh.
Ai shtoi se beson dhe shpreson që “konflikti, urrejtja e të gjitha gjërat të futen në dhe, dhe të shohin para për dy fëmijët”.
“Raporti im me ju është shumë i rregullt. Jam hy me ju tregu pak a shumë kush jam, çka kam e si jam. Qëllimi im ka qenë këtu, me ju drejtu edhe Drenushës që i kemi dy fëmijë si drita, që janë përgjegjësi edhe e imja edhe e jotja për mirëqenien e tyre. Nuk ia vlen asgjë përpos tyre. Unë ta bëj punën tem si babë, ti punën tane si nanë” – shtoi ai.
Për pretendimet që janë ngritur ndaj Atilla Kardesh dhe zhvillimet pas hyrjes së tij në spektaklin televiziv “Bi Brother Vip Kosova”, KALLXO.com ka kontaktuar edhe avokatin e tij, Visar Gorani, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.
E kontaktuar nga KALLXO.com, në lidhje me këtë çështje, Prokuroria e Prishtinës ka thënë se për rastet e hapura ndaj A.K. ka ngritur aktakuza dhe të njëjtat i ka dërguar në Gjykatë, duke kërkuar që të marrim përgjigje nga Gjykata për vendimet e mëtejme.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, në lidhje me pyetjet tuaja ju njofton se Prokurori i Shtetit, për rastet e hapura ndaj të pandehurit A.K, ka ngritur aktakuza dhe të njëjtat i ka dërguar në Gjykatën Kompetente, duke qenë se kemi të bëjmë me një rast të dhunës në familje nuk mundemi të japim më shumë informacione, andaj në lidhje me mbajtjen e seancave gjyqësore dhe vendimet e Gjykatës ju lutem të kontaktoni zyrën për informim të Gjykatës Themelore në Prishtinë”- thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
KALLXO.com i ka dërguar pyetje edhe Gjykatës së Prishtinës, e cila ka thënë se aktualisht lënda është në pritje për caktim të shqyrtimit gjyqësor.
“Ju njoftojmë se seanca fillestare në këtë lëndë gjyqësore është mbajtur me datë 29.03.2024 ku i pandehuri është deklaruar i pafajshëm në lidhje me akuzën. I njëjti ka shfrytëzuar të drejtat e parapara me legjislacionin në fuqi duke parashtruar kërkesë për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave. Me datë 27.05.2024 gjykata ka nxjerrë Aktvendim sipas të cilit ka refuzuar kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës. Në lidhje me këtë çështje të njëjtit i është vazhduar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit a po personit, me kohëzgjatje prej 09.03.2024 deri me datë 09.05.2024. Lënda është në pritje për caktim të shqyrtimit gjyqësor” – thuhet në përgjigjen e Medina Gashi, bashkëpunëtore profesionale në Gjykatën e Prishtinës.
Atilla Kardesh hyri në “Big Brother Vip Kosova” më 04.11.2024 gjatë spektaklit në mbrëmje.
Ish-bashkëshortja e tij, Drenusha Latifi, e denoncoi atë edhe publikisht në spektakël, duke thënë se Kardesh ka ushtruar dhunë ndaj saj.
Hyrja e tij në emisionin “Big Brother” të transmetuar nga Klan Kosova u diskutua edhe në Komsionin parlamentar për të Drejtat e Njeriut mes deputetëve dhe Komisionit të Pavarur të Mediave.
Në këtë mbledhje u bë e ditur se Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka pranuar shtatë ankesa kundër emisionit “Big Brother VIP Kosova” të transmetuar në Klan Kosova.
Kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti, njoftoi se katër prej ankesave kanë të bëjnë me hyrjen e të denoncuarit për dhunë në familje, Atilla Kardesh, në një shtëpi me denoncuesen, Drenusha Latifi.
Deputetët shprehën shqetësimin e tyre për këtë ngjarje, ndërsa Mehmeti i njoftoi ata se nuk kanë pasur mundësi ende t’i shqyrtojnë ankesat, sepse ka qenë një kohë e shkurtër, edhe pse ato i kanë pranuar me shqetësim të madh.
Anëtarja e KPM-së, Luljeta Aliu, e cila është vetë e mbijetuar e dhunës në familje tha se në bazë të dokumenteve nuk mund t’ua diktojnë televizioneve se kë të ftojnë ose të perjashtojnë nga emisionet.
“E kuptoj shumë mirë shqetësimin duke qenë se shumica prej jush e dinë edhe vetë historinë që e kam kalu me dhunë në familje” – tha ajo.
Aliu shtoi se si Komision do t’i analizojnë të gjitha aktet ligjore e nënligjore për të pasur një analizë të thuktë për këtë çështje.
“Nuk ka dyshim se për neve është i papranueshëm promovimi i dhunës. Edhe nëse nuk e gjejmë ndonjë mundësi, nuk do të thotë që vullneti nuk ka qenë aty. Në disa raste nuk mund të reagojmë kur s’e kemi kompetencë” – shtoi ajo.
Për këtë rast ka reaguar ashpër edhe Ministria e Drejtësisë, më 05.11.2024 e cila ka kërkuar nga Klan Kosova që Atilla Kardesh të largohet nga ky emision.
Ky vendim, sipas ministrisë, përveç tjerash ka për qëllim minimizimin dhe normalizimin e një fenomeni të rrezikshëm më të cilin po përballet shoqëria jonë, siç është dhuna në familje.
KPM ka pranuar ankesa ndaj “Big Brother” dhe Klan Kosovës nga Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës dhe nga Flutura Kusari, juriste e të drejtës së medias.
KALLXO.com ka kontaktuar Klan Kosovën për të marrë një qëndrim pas ankesës së parashtruar në KPM, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli, mediumi nuk ka kthyer përgjigje.
Më 05.11.2024, organizata joqeveritare Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA ka zhvilluar një aksion para objekteve të televizionit Klan Kosova.
“Nuk mund ta normalizoni dhunën ndaj grave” – ka qenë thirrja e “QIKA”.
Pas këtij aksioni ka reaguar televizioni Klan Kosova duke e cilësuar këtë veprim si “sulm huligan“.
“Klan Kosova dënon ashpër çdo veprim të tillë huliganizmi ndaj çdo institucioni apo subjekti, andaj apelon tek organet e rendit që kryerësit e akteve të tilla, të përgjigjen para drejtësisë” – tha Klan Kosova.
Një reagim është bërë edhe nga Rrjeti i Grave të Kosovës, i cila ka shprehur shqetësimin për promovimin publik të personave të dyshuar për dhunë me bazë gjinore.
Edhe Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist mbrëmë, me 05.11.2024 ka zhvilluar një aksion me grafite në muret e ambienteve të televizionit Klan Kosova.
Shënim: Artikulli është edituar më 07.11.2024, në ora 09:58, duke iu shtuar përgjigja e Gjykatës së Prishtinës, e cila i është dërguar KALLXO.com më 07.11.2024.