KPM ka pranuar 7 ankesa kundër 'Big Brother Vip Kosova'
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka pranuar 7 ankesa kundër emisionit “Big Brother VIP Kosova” të transmetuar në Klan Kosova.
Kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti njoftoi se katër prej tyre kanë të bëjnë me hyrjen e të denoncuarit për dhunë në familje, Atilla Kardesh, në një shtëpi me denoncuesen, Drenusha Latifi.
Mehmeti tha para deputetëve në Komisionin parlamentar për të Drejtat e Njeriut se nuk kanë pasur mundësi ende t’i shqyrtojnë ankesat, sepse ka qenë një kohë e shkurtër, edhe pse ato i kanë pranuar me shqetësim të madh.
“Një tjetër ka të bëjë me keqpërdorimin e inteligjencës artificiale, pasi që një banori i është bërë një video gjoja se i flet babai i tij i ndjerë. Një qytetar është ankuar për këtë. Një ankesë tjetër nga një qytetar që thotë se ky show është joedukativ. E një ankesë tjetër që thotë se ndihet i fyer nga komentimet e analistit” – tregoi ai.
Kryetarja e Komisionit të Kuvendit, Duda Balje, pyeti anëtarët e KPM-së se pse nuk kanë reaguar dhe a kanë pasur bazë ligjore që të reagojnë.
“A keni pas arsye me reagu? A keni pas informatë që personi në fjalë ka me qenë në Big Brother? A keni pas bazë ligjore për me reagu? Ne po dojmë me dit a e ka shkel Klan Kosova ligjin?” – pyeti Balje.
Mehmeti njoftoi se nuk kanë mbajtur mbledhje formale për t’i shqyrtyar ankesat dhe se mbledhja është caktuar për 26 nëntor 2024.
Por, Balje pyeti se jo vetëm në bazë të ankesës, por a ka pas arsye KPM që të reagojë në bazë të dokumenteve ligjore.
Anëtarja e KPM-së, Luljeta Aliu, e cila është vetë e mbijetuar e dhunës në familje tha se në bazë të dokumenteve nuk mund t’ua diktojnë televizioneve se kë të ftojnë ose të perjashtojnë nga emisionet.
“E kuptoj shumë mirë shqetësimin duke qenë se shumica prej jush e dinë edhe vetë historinë që e kam kalu me dhunë në familje” – tha ajo.
Aliu shtoi se si Komision do t’i analizojnë të gjitha aktet ligjore e nënligjore për të pasur një analizë të thuktë për këtë çështje.
“Nuk ka dyshim se për neve është i papranueshëm promovimi i dhunës. Edhe nëse nuk e gjejmë ndonjë mundësi, nuk do të thotë që vullneti nuk ka qenë aty. Në disa raste nuk mund të reagojmë kur s’e kemi kompetencë” – shtoi ajo.
Më e ashpër ishte deputetja e LVV-së, Arjeta Fejza, e cila tha se situata është bardh e zi dhe se nuk duhet të relatiziovet situata.
“Ajo ka dalë me shenja të dhunës, e kemi pa të gjithë. Tash e kemi pa që ai ka pas urdhër mbrojtës deri në shtator. Sot është në të njëjtën shtëpi dhe produksioni i qet me u përballë. Mendoj që është obligim i yni si institucione. Pavarësisht a e ka dit a s’e ka dit. Nuk ka kërrkush të drejtë me promovu dhunën” – tha ajo.
Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha tha se mbetet shqetësuese rregullimi i këtyre formateve dhe shtoi se rasti duhet të shoshitet deri në fund.
Hoxha po ashtu tha se viktima ka edhe mundësinë e daljes nga ajo shtëpi.
“Mendoj që kemi debat më të gjerë se si mundemi që mediat ta kuptojnë deri ku shkon gjuha seksiste, dhuna psikologjike e emocionale, sepse kjo është normalizuar” – tha Hoxha.
Deputetja dha edhe idenë që të krijohet një rregullore për përdorimin e intelegjencës artificiale.
Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të KPM-së, Faruk Rexhaj, tha se është shumë herët të flitet për shkelje sepse rasti është në vlerësim.
“KPM-ja nuk ka mandat që t’i mbikëqyr zbatimin apo jo të masave penale. Televizionet mbahen përgjegjëse vetëm për përmbajtjen, në të kundërtën nuk mund ta paragjykojmë. Nëse interefrojmë se kush mundet me hy – kush jo, do të ishte sulmi më i madh në lirinë e medias” – tha ai.
Pasi që deputetët Fejza dhe Hoxha theksuan edhe se kjo përmbajtje shpërndahet në rrjete sociale, pavarësisht se në televizion është e koduar, ud kryeshefi tha se në të ardhmen KPM pritet ta zgjerojë juridiksionin e saj dhe të merret me mediat online.
“E kemi marrë me shqetësim, por nuk jemi të thirrur të reagojmë emocionalisht, por ligjërisht” – shtoi ai.
Anëtari tjetër i KPM-së, Fitim Veliu, vendosi në tavolinë edhe idenë se ky emision prodhon përmbajtje të urrejtjes dhe mosdurimit kombëtar.
Ai luti qyetarët që të kenë besim në KPM-në dhe të kenë durim për t’i parë vendimet e tyre.
Për këtë rast ka reaguar ashpër edhe Ministria e Drejtësisë, e cila ka kërkuar nga Klan Kosova që Atilla Kardesh të largohet nga ky emision.
Ky vendim, sipas Ministrisë, përveç tjerash ka për qëllim minimizimin dhe normalizimin e një fenomeni të rrezikshëm më të cilin po përballet shoqëria jonë, siç është dhuna në familje.
KPM ka pranuar ankesa ndaj “Big Brother” dhe Klan Kosovës nga Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës dhe nga Flutura Kusari, juriste e të drejtës së medias.
KALLXO.com ka kontaktuar Klan Kosovën për të marrë një qëndrim pas ankesës së parashtruar në KPM, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli mediumi nuk ka kthyer përgjigje.
Po ashtu është kontaktuar edhe Komisioni i Pavarur i Mediave, nga i cili po ashtu është duke pritur përgjigje.
Reagime të shumta janë bërë nga organizata e individ të ndryshëm lidhur me futjen e Atilla Kardeshit në “Big Brother Vip Kosova”.
Mëngjesin e djeshëm, më 05.11.2024, organizata joqeveritare Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA ka zhvilluar një aksion para objekteve të televizionit Klan Kosova.
“Nuk mund ta normalizoni dhunën ndaj grave” – ka qenë thirrja e “QIKA”.
Pas këtij aksioni ka reaguar Klan Kosova duke e cilësuar këtë veprim si “sulm huligan“.
“Klan Kosova dënon ashpër çdo veprim të tillë huliganizmi ndaj çdo institucioni apo subjekti, andaj apelon tek organet e rendit që kryerësit e akteve të tilla, të përgjigjen para drejtësisë” – tha Klan Kosova.
Një reagim është bërë edhe nga Rrjeti i Grave të Kosovës, i cila ka shprehur shqetësimin për promovimin publik të personave të dyshuar për dhunë me bazë gjinore.
Edhe Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist mbrëmë, me 05.11.2024 ka zhvilluar një aksion me grafite në muret e ambienteve të televizionit Klan Kosova.
“Klani dhunon gratë”, “Bojkoto Klanin”, janë disa nga mbishkrimet.
Atilla Kardesh është ish-bashkëshorti i Drenusha Latifit, e cila që nga fillimi i këtij edicioni të “Big Brother Vip Kosova” ka qenë banore e shtëpisë.
Latifi kishte denoncuar Kardeshin për dhunë ndaj saj, duke treguar edhe publikisht që gjatë kohës sa ka qenë e martuar me këtë të fundit ka pësuar dhunë fizike nga ai.