
Zgjedhja e Kryetarit të ri të KPM-së - Prokuroria e Prishtinës sipas detyrës zyrtare fillon ta trajtojë rastin
Kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi ka konfirmuar për KALLXO.com se kanë filluar ta shqyrtojnë rastin e zgjedhjes së kryetarit të ri të KPM-së, Besnik Berisha.
Sipas Kryeprokurorit, rasti është marrë për trajtim sipas detyrës zyrtare dhe për këtë rast nuk pa pasur kallëzim penal paraprakisht.
Tutje, Zejnullah Gashi shtoi se janë duke shqyrtuar nëse rastin duhet ta trajtojë Prokuroria e Prishtinës apo Prokuroria Speciale.
Besnik Berisha ishte zgjedhur Kryetar i ri i KPM-së më 17.01.2025, vetëm tri ditë para se t’i skadonte mandati, kryetarit Jeton Mehmeti.
Berisha kishte marrë katër vota “për” dhe vetëm një abstenim.
Paraprakisht anëtarët e KPM-së me të filluar mbledhja kishin propozuar që të bëhet plotësim-ndryshimi i Rregullores së punës së brendshme të KPM-së.
Ata kishin propozuar që në njërin nga Nenet e kësaj Rregulloreje të shtohet si paragraf citati si më poshtë.
“Përjashtimisht nga Paragrafi 1 i këtij Neni, zgjedhja e Kryetarit, përkatësisht Nënkryetarit, mund të bëhet brenda një muaji para skadimit të mandatit të Kryetarit, përkatësisht Nënkryetarit, veçanërisht për t’u siguruar që KPM nuk mbetet pa Kryetar, përkatësisht Nënkryetar në raste kur mbetet pa kuorum për zgjedhjen e tyre.” – ishte votuar ky plotësim-ndryshim.
Me tri vota “për”, një “kundër” nga kryetari aktual i KPM-së, Jeton Mehmeti dhe një “abstenim” nga anëtari tjetër Fatih Basha, ishte votuar propozimi për plotësim-ndryshimin e Rregullores së punës së brendshme të KPM-së, e cila flet për zgjedhjen e Kryetarit dhe Nënkryetarit të ri të KPM-së.
Kryetari aktual i Komisionit të Pavarur për Media (KPM), Jeton Mehmeti kishte lëshuar mbledhjen e Bordit pas pauzës, pasi që siç kishte thënë ai “nuk ka siguri juridike, pas zgjedhjes së Kryetarit të ri”.
“Duke qenë se me shumicë të votave të anëtarëve të KPM-së është zgjedhur Kryetari i ri, unë nuk ndjej siguri juridike për të vazhduar mbledhjen, sepse nuk mund të jemi në një sallë si dy Kryetarë dhe për mua misioni si Kryetar i KPM-së merr fund këtu. Nëse thërrasim mbledhje tjetër, mund të marrë pjesë si anëtar, sepse në bazë të mandatit që na ka dhënë Kuvendi, mandati si anëtar vazhdon deri më 21.01.2025.” – kishte thënë ai dhe më pas kishte lëshuar mbledhjen.
Pas largimit të Mehmetit, anëtarët e tjerë nuk kanë vazhduar mbledhjen e bordit të KPM-së, për shkak të kuorumit.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ishte shprehur i shqetësuar me procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri të Komisionit të Pavarur të Medieve (KPM), Besnik Berisha.
“Zgjedhja e Besnik Berishës për Kryetar të KPM-së ngre pikëpyetje ligjore për mënyrën e ndryshimit të Rregullores së KPM-së, e cila parasheh që Kryetari i ri zgjidhet në mbledhjen e parë, pasi t’i ketë skaduar mandati ose të jetë shkarkuar Kryetari aktual.” – kishte shkruar AGK në Facebook, më 17.01.2025.
Sipas AGK-së, votimi i sotëm shihet si përpjekje e hapur për politizimin dhe instrumentalizimin e KPM-së për interesa të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje – duke u bazuar në qëndrimet publike të iniciatorëve për ndryshimet e sotme.
“Komisioni i Pavarur i Medieve, si organ kushtetues, luan rol të rëndësishëm në rregullimin e skenës mediale në Kosovë dhe, si i tillë, duhet ta ruajë pavarësinë e plotë dhe të mos lejojë ndërhyrjet politike.” – ka theksuar AGK.