Albulena Haxhiu - Foto: Kallxo.com

Ministria e Drejtësisë kërkon largimin e të denoncuarit për dhunë në familje nga “Big Brother Vip Kosova”

Ministria e Drejtësisë ka reaguar ashpër ndaj futjes së të denoncuarit për dhunë në familje, Atilla Kardesh, në “Big Brother Vip Kosova” në Klan Kosova.

Konkretisht, koordinatorja kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore, që është vetë ministrja Albulena Haxhiu dhe grupi ndërministror, kanë thënë se ky vendim përveç tjerash ka për qëllim minimizimin dhe normalizimin e një fenomeni të rrezikshëm më të cilin po përballet shoqëria jonë, siç është dhuna në familje.

Në reagimin e publikuar nga Ministria thuhet se ndaj Kardeshit deri në shtator ka pasur urdhër mbrojtës.

Grupi ndërministror për mbrojtjen dhe parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje ka kërkuar që ai të largohet urgjentisht nga emisioni dhe të ndërmerren masa ndaj Klan Kosovës nga Komisioni i Pavarur i Mediave për këtë “vendim skandaloz”.

Po ashtu është kërkuar vlerësimi i përgjithshëm i përmbajtjeve të emisioneve në Kosovë lidhur me raportimin e ndjeshëm gjinor, riviktimizimin e viktimave të dhunës dhe presionin psikologjik që u shkaktohet viktimave të dhunës.

“Vendosja e znj. Drenusha Latifi nën presion psikologjik përballë ish bashkëshortit i cili është cilësuar si dhunues me vetë lëshimin e UM, është formë e dhunës psikologjike, e cila e vendos znj. Latifi në pozitë të cenueshme psikologjike, dhe paraqet mundësi të ri-viktimizimit por tani në situatë të presionit psikologjik publik” – thuhet më tej në reagim.

Shqetësim është ngritur edhe për fëmijët e ish-çiftit.

“Nisur nga fakti se znj. Latifi dhe ish bashkëshorti i saj kanë dy fëmijë të përbashkët, shprehim shqetësimin tonë, se fëmijët e ish çiftit janë vendosur në rrethanat e rrezikut potencial për viktimizim dhe ri-viktimizim, duke u bërë publikisht dëshmitarë të situatave potencialisht të dhunshme verbale apo fizike, përmes presionit publik i cili do të transmetohet në opinion, dhe kjo do të ketë ndikim negativ në mirëqenien emocionale të fëmijëve.”

Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës dhe Flutura Kusari, juriste e të drejtës së medias, kanë parashtruar ankesë në Komisionin e Pavarur për Media kundër emisionit “Big Brother” dhe Klan Kosovës.

Juristja e të drejtës së medias tha se kërkoi nga ana e Komisionit të Pavarur për Media që të shqiptojë gjobën më të lartë financiare ndaj televizionit Klan Kosova për shkelje të nenit 3 të Kodit të Etikës për ofruesit e shërbimeve mediale në Republikën e Kosovës.

KALLXO.com ka kontaktuar Klan Kosovën për të marrë një qëndrim pas ankesës së parashtruar në KPM mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli mediumi nuk ka kthyer përgjigje.

Po ashtu është kontaktuar edhe Komisioni i Pavarur i Mediave, nga i cili po ashtu është duke pritur përgjigje.

Reagime të shumta janë bërë nga organizata e individë të ndryshëm lidhur me futjen e Atilla Kardeshit në “Big Brother Vip Kosova”.

Mëngjesin e sotëm, më 05.11.2024, organizata joqeveritare Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA ka zhvilluar një aksion para objekteve të televizionit Klan Kosova.

“Nuk mund ta normalizoni dhunën ndaj grave” – ka qenë thirrja e “QIKA”.

Pas këtij aksioni ka reaguar Klan Kosova duke e cilësuar këtë veprim si “sulm huligan“.

“Klan Kosova dënon ashpër çdo veprim të tillë huliganizmi ndaj çdo institucioni apo subjekti, andaj apelon tek organet e rendit që kryerësit e akteve të tilla, të përgjigjen para drejtësisë” – tha Klan Kosova.

Një reagim është bërë edhe nga Rrjeti i Grave të Kosovës, i cila ka shprehur shqetësimin për promovimin publik të personave të dyshuar për dhunë me bazë gjinore.

“Ajo që ka ndodhur mbrëmë në një show në Klan Kosova, është e papranueshme dhe bie ndesh me përpjekjet tona të përbashkëta për të luftuar dhunën me bazë gjinore, një fenomen i përhapur që cenon mirëqenien e grave dhe vajzave në shoqërinë tonë” – u tha në reagimin e RrGK-së.

Tutje sipas Rrjetit të Grave, të promovosh figura të përfshira në raste të tilla nuk është vetëm e papërgjegjshme, por sipas kësaj organizate dërgon një mesazh të rrezikshëm se dhuna ndaj grave mund të tolerohet apo të minimizohet.

“Bëjmë thirrje që mediat të marrin përgjegjësinë për të reflektuar seriozitetin që e ka ky problem dhe të jenë pjesë e zgjidhjes, jo e problemit” – theksohet më tej.

Gjithashtu u shtua se dhuna me bazë gjinore duhet të dënohet pa asnjë hezitim dhe duhet të luftohet me vendosmëri nga të gjithë në çdo mënyrë që munden – për një shoqëri më të drejtë dhe të sigurt për të gjithë.

Edhe Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist mbrëmë, pak pas mesnatës, ka zhvilluar një aksion me grafite në muret e ambienteve të televizionit Klan Kosova.

“Klani dhunon gratë”, “Bojkoto Klanin”, janë disa nga mbishkrimet.

Atilla Kardesh është ish-bashkëshorti i Drenusha Latifit, e cila që nga fillimi i këtij edicioni të “Big Brother Vip Kosova” ka qenë banore e shtëpisë.

Latifi kishte denoncuar Kardeshin për dhunë ndaj saj, duke treguar edhe publikisht që gjatë kohës sa ka qenë e martuar me këtë të fundit ka pësuar dhunë fizike nga ai.