Kosovës i mohohet pjesëmarrja në Olimpiadën Matematike Ballkanike

Shoqata e Matematikanëve të Kosovës ka njoftuar se nxënësve kosovarë u është mohuar pjesëmarrja në Olimpiadën Matematike Ballkanike.

Sipas njoftimit, Kosova ka tentuar të anëtarësohet në Shoqërinë Matematikore të Evropës Juglindore ( MASSEE), por këto kërkesa janë refuzuar për shkak të qasjes bllokuese të përfaqësuesve të Serbisë në MASSEE.

“Më datën 27 mars 2023, Shoqata e Matematikanëve të Kosovës ka aplikuar në MASSEE (The Mathematical Society of South Eastern Europe) për t’ua mundësuar pjesëmarrjen në Olimpiadën Matematike Ballkanike (BMO) nxënësve nga Kosova. Kosova ka tentuar të anëtarësohet në MASSEE edhe më parë por për fat të keq kërkesat tona vazhdimisht janë refuzuar për shkak të qasjes bllokuese të përfaqësuesve të Serbisë në MASSEE” – thuhet në njoftim.

Shoqata ka njoftuar se ka aplikuar këtë vit në MASSE për pjesëmarrje në BMO me shpresë se Serbia nuk do ta pengojë antarëësimin e Kosovës.

“Shoqata e Matematikanëve të Kosovës ka aplikuar këtë vit në MASSE, për pjesëmarrje në BMO, me shpresë se do të respektohet marrëveshja e fundit mes Kosovës dhe Sërbisë, ku saktësisht thuhet se Serbia nuk do të pengojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë rajonale apo ndërkombëtare. Por për fat të keq, përfaqësuesit e Serbisë refuzojnë ta respektojnë këtë marrëveshje ani pse Bashkimi Evropian është garantues i zbatimit të saj” – është thënë tutje në njoftimin e kësaj shoqate.

Në nenin 4 të  Plani franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ndër të tjera parashihet se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në ndonjë organizatë ndërkombëtare.