Harta e përdorur në Konventën ndërkombëtare të Turizmit në Tiranë. Foto: Screenshot

Kosova përshkruhet si pjesë e Serbisë në hartën e përdorur në Konventën Ndërkombëtare të Turizmit në Tiranë

Në Konventën Ndërkombëtare të Turizmit të mbajtur dje në Tiranë është paraqitur një hartë ku shihet se një pjesë e territorit të Kosovës është paraqitur me mbishkrimin ‘Serbia’.

Kjo hartë e cila informon për investimet në disa biznese hotelierie në qytete të ndryshme të Shqipërisë, e paraqet pjesën jugore të territorit të Kosovës brenda kufijve të Serbisë.

Në hartë shihen kufijtë e shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor me të cilat kufizohet Shqipëria; Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Greqinë.

Video e diskutimit ku është shfaqur kjo hartë, është publikuar në Facebook nga kryeministri i Shqiperisë Edi Rama.

Harta e përdorur në Konventën ndërkombëtare të Turizmit në Tiranë.

Lidhur me ketë çështje, KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Qeveria e Shqipërisë dhe është në pritje të një përgjigje.

Po ashtu, KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës, për të ditur nëse përfaqësues të kësaj ministrie kanë qenë të pranishëm në këtë organizim të mbajtur në Tiranë.

Kryeministri Rama ka njoftuar se Konventa Ndërkombëtare e Turizmit është organizuar për herë të parë në Ballkan me Organizatën Botërore të Turizmit, me pjesëmarrës nga 38 vende të botës.