Burimi: www.pixabay.com
Kosova në mes të ShBA-së dhe Turqisë në shkëmbimin e mallrave me vendet e largëta
Përveç vendeve të rajonit dhe atyre të Bashkimit Euvropian [BE], Kosova shkëmben mallra edhe me vendet tjera matanë botës.
Në bazë të dhënave për muajin dhjetor të vitit të kaluar, nga Agjencia e Statistikave të Kosovës [ASK], bëhet e ditur se eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës, arritën në 18,7 milionë euro ose 28,7 për qind.
Partnerët më të rëndësishtëm nga këto vende për eksportet e Kosovës ishin: Shtete e Bashkuara të Amerikës [SHBA] me pjesëmarrje 13,2 për qind dhe Zvicra me pjesëmarrje 8,9 për qind.
Në anën tjetër importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 218,7 milionë euro, ose 40,3 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia 14,9 për qind dhe Kina 10,1 për qind.
Ndryshe, të dhënat për tregtinë e jashtme të përgjithshme të Kosovës, për muajin dhjetor të vitit 2023, tregojnë se u importuan mallra në vlerë 543.1 milionë euro, që paraqet një rritje 4.1 për qind për import, ndërsa u eksportuan mallra në vlerë 65.4 milionë euro që është një rënie -9.3 për qind për eksport, në krahasim me muajin e njëjtë të vitit 2022.
Statistikat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës [ASK], tregojnë se deficiti tregtar është më të lartë për 6,3 për qind në muajin dhjetor të vitit të 2023, në krahasim me muajin dhjetor të vitit paraprak, gjegjësisht në vlerë prej 477,7 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 449,5 milionë.
Në muajin dhjetor, eksporti arriti të mbulonte importin me 12,0 për qind.
Kosova shiti mallra kryesisht metale bazë e artikuj prej tyre, artikuj nga plastika e goma, produkte ushqimore dhe të tjera.
“Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 21,0% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 18,5% e përbëjnë artikuj të ndryshëm të prodhuar; 13,9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 13,4% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5,8% e përbëjnë makineria dhe pajisjet mekanike dhe elektrike, etj”-thuhet në komunikatë, e ASK-së.
Në anën tjetër në importin e mallrave 13,6 për qind e përbëjnë produktet minerale, 13,1 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 12,1 për qind e përbëjnë mjetet e transportit, 11,5 për qind e përbëjnë makineria dhe pajisjet mekanike dhe elektrike, 8,8 për qind e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, etj.