Kosova e para në Ballkanin Perëndimor për Respektim të Sundimit të Ligjit

Shtetit i Kosovës është renditur i pari në mesin e shteteve të Ballkanit Perendimor për Respektimin e Sundimit të Ligjit.

Këtë renditje Kosova e ka marrë në “Indeksin e Sundimit të Ligjit të Projektit të Drejtësisë Botërore” (World Justice Project Rule of Law Index), organizatë kjo e cila matë sundimin e ligjit bazuar në përvojat dhe perceptimet e përgjithshme.

Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se në  bashkërendimin me  USAID Kosova për herë të parë është përfshirë në këtë indeks.

`Nga ky vlerësim, Republika e Kosovës, është renditur në vendin e parë në Ballkanin Perëndimor për respektim të sundimit të ligjit, duke e lënë pas Serbinë, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Bosnjën`, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Sipas të njëjtit indeks, Republika e Kosovës është renditur po ashtu e dyta në respektim të sundimit të ligjit në tërë rajonin e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore, me vetëm Gjeorgjinë një pozitë më lartë.

`Qeveria e Republikës së Kosovës nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë do të vazhdojë të sigurojë përfshirjen e Kosovës në këtë indeks gjatë viteve të ardhshme sepse vetëm me të dhëna objektive dhe të matshme mund të hartohen politika të mirëfillta, duke i kontribuar kështu edhe procesit të Rishikimit Funksional të Sundimit të Ligjit dhe sistemit të drejtësisë në përgjithësi në të mirë të qytetarëve”, njofton Ministria e Drejtësisë.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, indeksi i fundit i Sundimit të Ligjit të Projektit të Drejtësisë Botërore (World Justice Project Rule of Law Index),mbështetet në sondazhe kombëtare të më shumë se 130,000 familjeve dhe 4,000 juristëve dhe ekspertëve për të matur se si sundimi i ligjit perceptohet në të gjithë botën.