Skender Hyseni, ish-ministër i Punëve të Jashtme. Foto: Kallxo.com

Koordinatori i dialogut pa strategji

Të enjten në Bruksel pritet që të mbahet takimi në nivel të ekspertëve mes Kosovës dhe Serbisë, pas atij të nivelit të lartë Hoti – Vuçiq të mbajtur javën e kaluar.

Për këtë takim, kryeministri i Kosovës sot ka emëruar ish-ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Skender Hyseni, i cili aktualisht është anëtar i Kryesisë së LDK-së.

Deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje, parti kjo e cila ka më së shumti ulëse në Kuvend, kanë vlerësuar se emërimi i Hysenit në pozitën e koordinatorit nacional tregon se sa e pakoordinuar dhe e papërgatitur është qeveria Hoti për dialogun me Serbinë.

Kurse njohësit e çështjeve politike në vend vlerësojnë se emërimi i Hysenit është indikator për pafuqinë politike të kryeministrit Hoti, duke theksuar nevojën që të definohet roli i koordinatorit në këtë proces të dialogut.

Në anën tjetër zëdhënësja e BE-së për politikë të jashtme dhe çështje të sigurisë, Nabila Massrali për BIRN ka thënë që në këtë takim ekspertët do t`i ndjekin çështjet e diskutuara tashmë në nivelin e liderëve.

LVV: Kosova në dialog me politikan pa legjitimitet

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Kuvendin e Kosovës, Gazmend Gjyshinca përveç që e ka konsideruar të pakoordinuar vendimin për emërimin e Skënder Hysenit në pozitën e koordinatorit për dialogun, është shprehur skeptik për aftësitë e ish-ministrit për të udhëhequr këtë proces.

“Ideja e kryeministrit Avdullah Hoti për emërimin e një koordinatori nacional për dialogun në fakt është tregues i të kundërtës së qëllimit të saj si ide. Pra tregon se sa e pakoordinuar dhe e papërgatitur për dialogun është kjo qeveri. Këtë situatë e bën edhe më të rëndë caktimi i Skender Hysenit në këtë detyrë. Një politikan pa legjitimitet qytetar, e i dëshmuar për panjohuri a ndonjë arritje në politikën e jashtme. Edhe pse i përfshirë për vite në këtë fushë”, ka thënë ai.

Sipas Gjyshincës ideja e krijimit të një trupe e cila do të shkonte në Bruksel për të diskutuar me Serbinë, do të shkaktonte vetëm kosto buxhetit, duke theksuar se pala kosovare është e përfaqësuar nga politikanë pa legjitimitet.

“Nisur nga përvoja e më hershme kjo shumësi numrash e emrash në dialog do të përkthehet në dështim përfaqësimi të duhur të interesit shtetëror të Kosovës. Dhe në kosto të lartë për buxhetin e vogël të Kosovës, që kanoset nga një krizë ekonomike e paparë më herët si pasojë e pandemisë. Pra, në Bruksel do të shkojnë shumë politikanë të pa legjitimitet qytetar, për të harxhuar edhe më shumë paratë e qytetarëve të ngelur pa përfaqësim”, ka thënë tutje ai.

Në prononcimin e tij për KALLXO.com, deputeti i LVV-së Gazmend Gjyshinca ka theksuar se nuk mund të ketë dialog të mirëfilltë pa legjitimitet të ri që do të arrihej përmes zgjedhjeve të reja.

Sipas tij, qasjen e saj karshi dialogut me Serbinë, LVV do ta tregoj në Kuvendin e Kosovës.

“Lëvizja Vetëvendosje është partia më e madhe në vend, si pasojë bartëse e besimit dhe legjitimitetit më të madh qytetar në Kosovë. Në këtë kuptim LV është vazhdimisht e angazhuar në përfaqësimin politik të këtij besimi qytetar në të gjitha dimensionet politike e shoqërore. Përfshirë këtu edhe qasjen tonë në Kuvendin e Kosovës ndaj dialogut me Serbinë”, ka theksuar ai.

Emërimi i koordinatorit nacional, indikator për pafuqinë politike të  kryeministrit Hoti!

Donika Emini, drejtoreshë ekzekutive e Platformës “CiviKos”, ka theksuar se emërimi i Hysenit në pozitën e koordinatorit nacional mund të jetë indikator për pafuqinë politike të kryeministrit Hoti për t`i prirë këtij procesi.

“Caktimi i koordinatorit në dialog është indikator që edhe mund të ketë proces të dialogut teknik në Bruksel gjë që nuk është aspak e mirë strategjikisht për Kosovën dhe se nuk do të duhej të lejohej apo të pranohet si alternativë nga Kosova”, tha ajo.

“Kjo edhe mund të jetë indikator që kryeministri Hoti nuk ka fuqi politike dhe as përvojë e guxim për të udhëhequr këtë proces, andaj edhe po krijohet kjo pozitë për të balancuar dhe për të shpërndarë përgjegjësinë në proces”, shtoi ajo.

Sipas Eminit krijimi i kësaj trupe të pa menduar mirë për dialogun me Serbinë do të ishte veç edhe një hap tjetër që do të ndikonte negativisht në (mos)organizimin e brendshëm në dialog.

“Përveç që mund të krijohet një trupë tjetër bashkë me stafin që mundet edhe të ketë rol konfuzues në raport me përgjegjësit në këtë proces, kjo edhe mund të ketë rrezikun e ekzistimit të dialogut teknik që për Kosovën do të ketë pasoja të pandreqshme negative”, theksoi ajo.

Duke iu referuar deklaratave të BE-së dhe kryeministrit Hoti pas takimit të javës së kaluar, Emini në prononcim për KALLXO.com tha se asgjë e diskutuar me Serbinë nuk mund të konsiderohet teknike.

“Të pagjeturit, pajtimi, ballafaqimi me të kaluarën me Serbinë janë procese tejet politike dhe sensitive të cilat Kosova do të duhet ti shtynte në nivel më të lartë politik e të mbështetet pastaj nga ekspertiza”, theksoi ajo.

Drejtoresha e ekzekutive e Platformës “CiviKos” kërkoi që edhe shoqëria civile të jetë e përfshirë në këtë proces, por me një koordinim të madh për qasjen ndaj tij.

“Pajtohem për një proces gjithëpërfshirëse edhe me shoqëri civile në te, mirëpo të mirë koordinuar e jo të ndarë në disa segmente duke rrezikuar dështim. Hierarki e qartë e operimit dhe e mirë koordinuar nga nivelit politik është e domosdoshme, kjo për shkak që të gjithë do të duhej të vepronin në sinergji dhe të udhëhiqeshin nga niveli më i lartë që në fund nënshkruan dhe garanton implementim të asaj që është nënshkruar”, tha ajo.

Vela kërkon që të sqarohet roli i Hysenit si koordinator nacional

Analisti politik, Blerim Vela në një prononcim për KALLXO.com ka theksuar nevojën që të sqarohet roli i Skënder Hysenit si koordinator nacional në procesin e dialogut me Serbinë.

“Në qoftë se koordinatori do të këtë rol teknik dhe mbështetës në kuptim të koordinimit të pjesës profesionale dhe mbështetjes së punës së ekipit politik negociator, emërimi i tillë nuk do të duhej të paraqiste ndonjë problem”, tha ai

“Nëse koordinatori do të ketë rol politik dhe drejtues në procesin negociator, atëherë emërimi i tillë është i panevojshëm duke pasur parasysh se përgjegjësitë e krerëve institucional janë të përcaktuara me Kushtetutë dhe akt-gjykimin e Gjykatës Kushtetuese mbi ekipin negociator të krijuar nga qeveria e PAN”, shtoi Vela.

Duke ju referuar rrethanave dhe nevojës për emërimin ose jo të një koordinatori nacional për dialog, Vela ka thënë që do të krijohet një paralelizëm i panevojshëm brenda qeverisë.

“Emërimi i koordinatorit me detyra politike do të krijoj paralelizëm të panevojshëm brenda qeverisë si dhe nuk do të zgjedh problemin e mungesës së konsensusit të brendshëm politik për procesin negociator”, thtë ai.

Duke ju referuar negociatave të zhvilluara nën ombrellën e Bashkimit Evropian nga viti 2011, Vela është shprehur skeptik për një raund tjetër të bisedimeve tenike.

“Rikthimi në temat teknike nuk është e sigurt se do të prodhoj rezultat edhe kësaj radhe, përderisa nuk zgjidhet nyja politike e problemit mes Kosovës dhe Serbisë që është një formë e njohjes reciproke që çon ne anëtarësimin e Kosovës ne gjitha mekanizmat ndërkombëtare”, tha ai.

Javën e kaluar pas 20 muajsh të pezullimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, përfaqësuesit e të dyja vendeve u takuan në Bruksel, për të rifilluar procesin e negociatave për normalizimin e marrëdhënieve, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

Dialogu Kosovë-Serbi ishte ndërprerë për shkak të vendosjes së tarifës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës të vendosur nga qeveria Haradinaj.

Në këtë vit, qeveria Kurti filloi zëvendësimin e tarifës me reciprocitet, por këto masa u larguan plotësisht nga qeveria Kurti.