Ilustrim

Konsullatat dhe ambasadat me mijëra euro tejkalim të limiteve bankare

Misionet Diplomatike dhe Konsullore të Kosovës kanë bërë mijëra euro tejkalime të limiteve bankare, kjo si rezultat i mungesës së mbikëqyrjes nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).

Kjo është gjetje e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, i publikuar në raportin e vitit 2020.

Konsullatat në Shtutgard, Mynhen, Dyseldorf, Ambasada e Kosovës në Bern, Konsullata në Gjenevë, ishin disa nga misionet diplomatike për të cilat Auditori ka gjetur se në disa raste kanë tejkaluar edhe dyfishin e limitit prej 50 mijë eurove.

“Konsullata në Shtutgart limitin e lejuar e kishte 50,000 euro ndërsa tejkalimi ishte 93,765 euro (dhjetor) dhe 75,060 euro (maj), Konsullata në Mynhen limitin e lejuar e kishte 50,000 euro ndërsa tejkalimi ishte 63,070 euro (dhjetor) dhe 52,439 euro (maj), Dyseldorf limitin e lejuar e kishte 50,000 euro ndërsa tejkalimi ishte 235,984 euro, Ambasada e Kosovës në Bern limitin e lejuar e kishte 50,000 euro ndërsa tejkalimi ishte 68,959 euro dhe Konsullata në Gjenevë limitin e lejuar e kishte 50,000 euro ndërsa tejkalimi ishte 67,426 euro”, thuhet në raportin e Auditorit.

Sipas Auditorit mbajtja e mjeteve mbi limitin e lejuar bankar përveç që është në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ të MPJD-së mund të ndikojë që të rriten shpenzimet nëpër MDK.

Zyra Kombëtare e Auditimit, në fund të raportit ka dhënë rekomandime për ministren e MPJD-së, Donika Gërvalla.

“Ministrja duhet të rrisë nivelin e mbikëqyrjes ndaj MDK-ve për të siguruar që ato nuk tejkalojnë limitet e lejuara për mbajtjen e mjeteve në llogaritë bankare përkatëse, në mënyrë që të evitohen potencialisht shpenzimet e paarsyetuara”, thuhet në raport.

Me këto gjetje të ZKA-së është pajtuar ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.