Konjufca takon drejtuesit e shoqatës HANDIKOS

Njëjtë si kreu i ekzekutivit, edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i ulur vet në karrocë të personave me aftësi të kufizuar, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës, ka pritur në një takim drejtuesit e shoqatës së personave me aftësi të kufizuar HANDIKOS.

Sipas komunikatës për media, drejtori i kësaj shoqate, Afrim Maliqi, ka njoftuar Konjufcën në lidhje me aktivitetet e tyre, sfidat me të cilat përballen dhe pozitën sociale të personave me aftësi të kufizuar.

“Drejtori i kësaj shoqate, Afrim Maliqi, e njoftoi Kryetarin Konjufca në lidhje me aktivitetet e tyre, sfidat me të cilat përballen dhe pozitën sociale të personave me aftësi të kufizuara, duke kërkuar më shumë përkrahje institucionale për këtë kategori të shoqërisë sonë”- thuhet në njoftim.

Në komunikatë thuhet se, Konjufca ka ritheksuar nevojën që institucionet qendrore dhe ato lokale, por edhe shoqëria në përgjithësi, të rrisin kujdesin dhe investimet në krijimin e kushteve sa më të përshtatshme për personat me aftësi të kufizuara.

“Ai njëherësh shprehu mbështetje për t’iu siguruar atyre mundësi të barabarta dhe jetë sa më të dinjitetshme”- thuhet mes tjerash në kumtesë.​

I ulur edhe vet në karrocë të personave me aftësi të kufizuara, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës, edhe kryeministri i vendit Albin Kurti, mëngjesin e sotëm ka pritur në takim drejtorin e HANDIKOS-it, Afrim Maliqi dhe përfaqësuesit e kësaj organizate.