Konjufca për anëtarësimin e Kosovës në BE: S'po kërkojmë procedura të pandershme por të bazuara në meritokraci

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, më 26.03.2024 ka folur për sfidat e integrimit dhe për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ai ka thënë se Kosova kërkon procedura të bazuara në meritokraci gjatë këtij procesi.

“Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian ishte dhe vazhdon të jetë një moment historik, i rëndësishëm drejt integrimit më të thellë. Përshpejtimi i procesit të anëtarësimit është imperativ dhe kërkon veprim të shpejt nga shtetet anëtare për të ofruar mbështetje institucionale. Ne nuk po kërkojmë procedura të pandershme nga BE. Ne vetëm po kërkojmë procedura strikte të bazuara në meritokraci”- u shpreh Konjufca.

Në takimin e 11-të i Komisionit Parlamentar të Stabilizim Asociimit BE-Kosovë, ai ka thënë se Kosova është e përkushtuar për të adresuar sfidat në mënyrë që të avancoj tutje.

Ndërsa ka përmendur disa nga sfidat e Kosovës në ketë proces.

“Njëra ndër sfidat e mëdha mbetet korrupsioni, sidomos për sistemin prokurorial dhe gjyqësor, por ne do t’i vazhdojmë reformat në sundimin e ligjit të cilat do ndihmojmë që të kemi kushte më të mira për qytetarët tanë. Ne kemi treguar përkushtimin për të përforcuar qeverisjen demokratike në Kosovë. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE është komponentë e rëndësishme e bashkëpunimit rajonal. Ne besojmë se vetëm njohja reciproke është pjesa thelbësore e marrëveshjes finale”- tha ai.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor të vitit 2022.