Konjufca e Palmer diskutojnë për dialogun

Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca ka pritur në takim Zëvendës-ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, njëherësh i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Matthew  Palmer dhe ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.

Në komunikatën dërguar mediave, bëhet e ditur se Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer e ka uruar Konjufcën për detyrën e re dhe konsituimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit, si dhe ka konfirmuar gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta ndihmuar vendin tonë përgjatë proceseve të mëtejme shtet ndërtuese.

Ndërsa Konjufca, pasi falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për kontributin e çmuar në çlirimin dhe rrugëtimin shtet ndërtues të Republikës së Kosovës, është zotuar për bashkëpunimin dhe thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve në mes të dy vendeve.

Konjufca poashtu ka falënderuar Palmer për përfshirjen dhe kontributin e tij në procesin e dialogut ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Serbisë.

Dje Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Matthew Palmer dhe Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë -Serbi, Miroslav Lajçak kanë konfirmuar se takimi i radhës në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuqiç do të mbahet brenda pak ditësh.

Palmer tha që SHBA-të mbështesin fuqishëm dialogun Kosovë-Serbi duke theksuar se do të përfundoj me njohje reciproke mes dy vendeve.

“Ne vazhdojmë të besojmë se është njohja reciproke çështja që do të hapë rrugën përpara”, tha ai.

Palmer: SHBA mbështet dialogun, besojmë në njohje reciproke