Foto-ilustrim

Konflikti për shitblerjen e kafshëve që çoi në vrasje, shikohen video-incizimet

Në gjykimin e Sadat dhe Fejard Llugaliut, të akuzuar për vrasjen e Fahri Bunjakut në vitin 2016 në Podujevë, në seancën e sotme janë shikuar video-incizimet lidhur me këtë ngjarje.

Mbrojtja e familjes së dëmtuar, Fortesa Mehmeti-Syla, ka thënë për KALLXO.com se në seancën e sotme është shikuar video-incizimi lidhur me ngjarjen kritike.

“Është kthyer pjesa për qartësimin e videove, propozim i bërë nga unë dhe avokati Ahmet Tahiri që video-incizimi të qartësohet prej minutës 32 deri në minutën 40. Kjo pjesë është kthyer deri në minutën e 32 për t’u shikuar, Gjykata ka kërkuar që video-incizimi të kthehet deri në minutën e fundit dhe ka aprovuar propozimin e Prokurorisë për të bërë rikonstruimin e ngjarjes”, ka thënë  avokatja Mehmeti-Syla për KALLXO.com.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Fejard Llugaliu, Skender Musa, po ashtu ka thënë për KALLXO.com se janë shikuar videot dhe se në seancën e radhës do të vazhdohet me shikimin e CD-ve lidhur me ditën kritike.

“Janë shikuar videot që janë propozuar të shikohen nga mbrojtja e familjes së dëmtuar, do vazhdojnë të shikohen në seancën e radhës si dhe do të bëhet rikonstruimi i ngjarjes”, ka thënë avokati Musa për KALLXO.com.

Kjo vrasje kishte ndodhur në muajin shkurt të vitit 2016, ndërsa pretendohet se asaj i ka paraprirë një konflikt rreth shitblerjes së kafshëve.

Prokuroria e Prishtinës i akuzon Sadat Llugaliun dhe Fejard Llugaliun se së bashku kanë kryer veprat penale – vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar i armëve.

Gjykata e shkallës së parë të akuzuarin Sadat Llugaliu e kishte dënuar me 18 vjet burgim për vrasje të rëndë, ndërsa e kishte shpallur të pafajshëm për armëmbajtje pa leje.

Ndërsa, Fejard Llugaliu ishte dënuar me burgim efektiv prej 3 vjet e gjysmë për armëmbajtje pa leje, kurse ishte liruar në akuzën për vrasje të rëndë.

Ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

I akuzuar në këtë rast ka qenë edhe Esat Llugaliu, për të cilin është veçuar procedura për shkak se gjatë sulmit ka pësuar lëndime të rënda me pasoja të përhershme.