Arkiv - Vendi ku u vra Oliver Ivanoviq | Foto: KALLXO.com
Konfirmon prokuroria: E akuzuara në rastin e vrasjes së Ivanoviq është gjallë
Gjatë ditës së sotme, u raportua se e akuzuara në rastin e vrasjes së politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq, Silvana Arsoviq, ka vdekur.
Një lajm të tillë, prokurori special Sylë Hoxha, i cili ditë më parë e kishte ngritur aktakuzën rreth kësaj vrasjeje e ka demantuar duke e quajtur ‘lajm të rremë’.
Arsoviq, mbrëmjen e kaluar është shtuar në spital për shkak të disa implikimeve shëndetësore, më saktësisht tension të lartë e shtrëngim të gjoksit.
Për gjendjen e saj mjekët në Spitalin e Mitrovicës Veriore kishin thënë se është stabile.
Portali IndeksOnline raportoi sot se Arsoviq kishte vdekur, ndërsa informacionet i kishin marrë me anë të burimeve.
Prokurori Special, Sylë Hoxha tha për KALLXO.com se Silvana Arsoviq është gjallë dhe është ende duke u trajtuar në spital.
“Nuk është e vërtetë. Sapo u informova edhe nga Kryeprokurori i Mitrovicës, e akuzuara është në spital pasi që është shtruar pas disa komplikimeve shëndetësore por është gjallë, nuk ka vdekur”, tha Hoxha për KALLXO.com.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka njoftuar dy ditë më parë se ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, kundër gjashtë personave N.S., M.R., S.A., D.M., Z.J., R.B. për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ndihmë në kryerjen e veprës penale Vrasje e rëndë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”, “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, “Keqpërdorim i detyrës zyrtare në bashkëkryerje” dhe “Manipulim me prova, në bashkëkryerje”.
KALLXO.com ka raportuar vazhdimisht në lidhje me vrasjen dhe hetimet deri te ngritja e aktakuzës për rastin e Ivanoviq.
E akuzuara në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit shtrihet në spital