Arkiv - Ndizen qirinj në nderim të Oliver Ivanoviqit - Foto: KALLXO.com
E akuzuara në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit shtrihet në spital
Silvana Arsoviq, e akuzuar në rastin e vrasjes së politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, është shtruar në spital për shkak të keqësimit të shëndetit të saj dhe presionit të lartë të gjakut.
Sipas doktorit të Qendrës Shëndetësore në Mitrovicën e Veriut, Nebojsha Sërblak, gjendja shëndetësore e Arsoviqit është e qëndrueshme.
“Ajo është pranuar rreth orës 18:00 për shkak të dhimbjes së kokës, dhimbjeve të gjoksit. Në pranim, presioni i gjakut ishte rreth 170, dhe gjatë marrjes së terapisë dhe shtrimit në spital, pati një rritje të mëtejshme të presionit. Tani ajo është në gjendje stabile”, tha ai për Kosova Online.
Sipas Ksenija Bozhoviq nga SDP, përkeqësimi i shëndetit të Arsoviq, ish- sekretares së Ivanoviqit, ishte bërë për shkak të aktakuzës ndaj saj ‘ pa asnjë provë’.
Gjatë ditës së djeshme, Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave për vrasjen e Oliver Ivanoviq.
N.S., M.R., S.A., D.M., Z.J., R.B. akuzohen për veprat penale – pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, zbulimi i fshehtësisë zyrtare, keqpërdorim i detyrës zyrtare në bashkëkryerje dhe manipulim me prova në bashkëkryerje.