Konferenca e UN: Gratë më të prekurat nga Pandemia por të përjashtuara nga vendimmarrja

Nën synimin për avancimin e pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje – me fokus të veçantë – lidhur me pandeminë COVID-19 dhe rimëkëmbjen, u mbajt konferenca e organizuar nga UN në Kosovë, në të cilën u konstatua se gratë janë kategoria më e prekur nga pandemia.

Megjithatë, përkundër dëmit të shumanshëm që kanë pësuar gratë gjatë pandemisë, u konstatua se zëri i tyre nuk është dëgjuar në vendimmarrje.

Përfaqësuesi Speciale i Sekretarit të Kombeve të Bashkuara dhe Shefi i Misionit të UNMIK-ut në Kosovë Zahir Tanin, në fjalën e tij citoi fjalët e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së António Guterres, që “COVID-19 është krizë me fytyrën e gruas”.

Megjithatë, Tanin konstatoi se “përkundër të qenit në qendër të përpjekjeve të reagimit dhe rimëkëmbjes, si dhe duke u përballur me pasoja nga më të rreptat të pandemisë, gratë kryesisht kanë qenë të përjashtuara nga vendimmarrja lidhur me pandeminë.

Ulrika Richardson, koordinatore e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, fokusoi fjalën e saj në shumëllojshmërinë e dëmeve që kanë pësuar gratë gjatë pandemisë duke potencuar nevojën për ngritjen e vetëdijesimit për pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje.

Përpos fjalëve hyrëse pjesë e konferencës ishte edhe diskutimi në panel ku morën pjesë, Edi Gusia udhëheqësja e Agjencisë për Barazi Gjinore, Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave, Fekrije Hasani kryeinfermiere në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Kadri Gashi drejtor i Qendrës për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Kërkim.

Udhëheqësja e Zyrës për Barazi Gjinore vlerësoi si pozitive reagimin e Qeverisë së Kosovës gjatë pandemisë, duke vënë theksin te funksionimi dhe financimi i strehimoreve gjatë pandemisë po ashtu përfshirja e aspektin gjinor në pakon e rimëkëmbjes.

Fekrije Hasani, si një grua që ishte në vijën e parë të frontit në luftën kundër pandemisë, potencoi rolin krucial të punëtorëve shëndetësor – në veçanti të infermiereve në luftimin e pandemisë dhe për këtë tha se duhet vazhduar me plotësim të kushteve më të mira të punës për këta punëtorë shëndetësor.

Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës alarmoi që historia e mosnjohjes së kontributit të grave në Kosovë, po përsëritet teksa potencoi rolin jetik të grave gjatë pandemisë dhe domosdoshmërinë e rritjes së pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje.

Kadri Gashi nga Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Kërkim foli për rëndësinë e të punuarit me djem dhe burra të ri, duke bërë apel që djemtë dhe burrat të mos shihen si pengesë por si aleat, sidomos në një shtet si Kosova në shërbim të promovimit të barazisë gjinore.