Ilustrim - Mitrovicë e Veriut - Foto: REL/AFP

Komunat veriore ‘vazhdojnë me t’vjetrën’, refuzojnë ta mbledhin tatimin në pronë

Komuna veriore të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani, vazhdojnë ta injorojnë mbledhjen e tatimit në pronë. Përkundër se komunat tjera të Kosovës kanë mbledhur 5.01 milionë euro të hyra apo rreth 4% më tepër nga komunat veriore nuk ka fare të dhëna.

Në periudhën tremujore janar-mars të këtij viti, të hyrat nga tatimi në pronë nga Komunat e Kosovës ishin në vlerën e 5.01 milionë euro. Nga ky lloj tatimi, nga regjistrimet e 34 komunave të Kosovës, rezulton se pati rritje të hyrave për 4 përqind në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2019.  Në tremujorin e parë të vitit 2019, të hyrat nga tatimi në pronë i komunave ishin 4.82 milionë euro.

Por në krahasim me tre muajt janar-mars të vitit 2018, të hyrat janë më të ulëta për -10 përqind sa ishin mbledhur në atë periudhë, në vlerën e 5.59 milionë euro.

Raporti tremujor tregon se komunat veriore të Kosovës nuk kanë regjistruar të hyra nga tatimi në pronë.

“Komunat e Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit, dhe e Mitrovicës së Veriut nuk kanë regjistruar të hyra nga tatimi në pronë”, thuhet në raportin tremujor.

Qytetarët e katër komunave veriore vazhdojnë të mos paguajnë tatimin në pronës. Ata madje mund të ndërtojnë objekte pa pasur nevojë që të paguajnë për leje ndërtimore siç kërkohet me ligj. Ky privilegj për banorët e këtyre katër komunave mundësohet nga krerët e komunave veriore, të cilët ‘refuzojnë’ t’i zbatojnë ligjet e Republikës së Kosovës.

Rreth tre vite më parë, Gazeta Jeta në Kosovë kishte bërë një analizë lidhur me vjedhjen institucionale tatimore në veri.

Vjedhja Institucionale Tatimore në Veri

.