Beograd, 2021, Foto: Gentiana Ahmeti / KALLXO.com

Komuna serbe mbështet eventin promovues të kriminelit të luftës

Autoritetet në qytetin serb të Negotinit po mbështesin një event promovues për një libër të shkruar nga ish-oficeri i Ushtrisë Popullore Jugosllave Veselin Sljivancanin, i cili vuajti një dënim me burg për krime lufte gjatë konfliktit në Kroaci.

Komuna e Negotinit ka postuar një njoftim në faqen e saj zyrtare në Facebook për një event që do të mbahet të mërkurën në mbrëmje për të promovuar një libër të ri nga krimineli serb i dënuar i luftës Veselin Sljivancanin në qytetin lindor serb.

Eventi për promovimin e librit të Sljivancanin, Ovo je Moja Zemlja, Ovde Ja Komandujem (Ky është vendi im, këtu komandoj unë),  do të mbahet në një park komunal pasi ishte caktuar fillimisht të mbahej në një bibliotekë publike në Negotin, gjë e cila ka tërhequr kritika nga organizatat kundër luftës, të cilat shprehen se përdorimi i godinave publike për ngjarjen ishte i papranueshëm.

Dy OJQ me qendër në Beograd, Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut dhe Fondi për të Drejtën Humanitare, thanë se përdorimi i godinave publike për eventin për Sljivancanin ishte e papranueshme.

“Sljivancanin, si çdo qytetar tjetër, ka të drejtën civile të promovojë librat e tij në hapësira private dhe me shpenzimet e tij, por nëse e bën këtë në një institucion publik dhe me mbështetjen e shtetit, atëherë është e qartë se ky është një lavdërim i një krimineli të dënuar lufte, i cili është ende anëtar i Partisë Progresive Serbe në pushtet”, tha Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut në një deklaratë të mërkurën, duke i kërkuar bibliotekës në Negotin të mos lejojë mbajtjen e eventit,

Fondi për të Drejtën Humanitare shkroi në Tëitter se “është e papranueshme që institucionet kulturore publike të ofrojnë vazhdimisht hapësirë ​​për promovimin e punës së kriminelëve të dënuar të luftës”.

Ish-oficeri i Ushtrisë Popullore Jugosllave Sljivancanin u shpall fajtor nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në 2007 për ndihmë dhe përkrahje të torturës së të burgosurve dhe u dënua me pesë vjet burg.

Dënimi i vogël shkaktoi zemërim dhe në maj 2009 Gjykata e Hagës shtoi një dënim për bashkëpunim në vrasjen e rreth 260 robërve, duke e rritur dënimin e tij në 17 vjet burg.

Megjithatë, në vitin 2010 Gjykata ndryshoi një dënim të vlefshëm për herë të parë, kur dhoma e apelit e uli dënimin e tij në 10 vjet burg.

Pasi kreu dy të tretat e dënimit, ai u lirua dhe u kthye në Beograd në korrik 2011.

Titulli i librit i referohet një incidenti në qytetin e rrethuar kroat të Vukovarit në nëntor 1991. Pasi qyteti ra dhe forcat serbe morën kontrollin mbi qytetin, oficerët e Ushtrisë Popullore Jugosllave bllokuan përfaqësuesit e Misionit Evropian të Monitorimit dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq që po përpiqeshin të arrinin në spitalin e Vukovarit. Rreth 200 njerëz u morën nga spitali dhe u masakruan.

Në shtator 2020, Sljivancanin tha për Happy TV të Serbisë se ai e shkroi librin për të treguar “disa nga kujtimet e mia dhe për të shkruar të vërtetën”.

Ai e ka mbajtur tashmë një event promovues për librin në një bibliotekë publike në qytetin Rekovac në Serbinë qendrore në tetor 2020.

Ky është libri i tretë i Sljivancanin. Në vitin 2012, ai botoi I defended the truth i cili tregon për ditët që ai kaloi në paraburgim në Hagë dhe në 2015 ai botoi librin Son, be e human, kujtimet e tij të kohës së luftës në lidhje me rënien e Vukovarit.

Ai ka marrë pjesë gjithashtu si i ftuar në evente të Partisë Progresive Serbe në vitet e fundit. Në një event të partisë, tetë aktivistë nga Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut të cilët ndërprenë eventin u sulmuan fizikisht dhe më vonë secili u gjobit me 50,000 dinarë, rreth 420 euro.

SHENIM: Ky artikull u përditësua më 9 shtator 2021 për të pasqyruar faktin se vendi për mbajtjen e eventit për promovimin e librit u zhvendos nga biblioteka publike në Negotin në një park komunal. BalkanInsight