Krimineli serb i luftës në Bosnjë, Momçillo Krajishnik, vdes nga COVID-19

Politikani serb nga Bosnja Momçillo Krajisnik, i cili ishte burgosur nga Tribunali i Hagës për përfshirjen e tij në krime kundër njerëzimit ndaj qytetarëve jo-serbë gjatë luftës në Bosnje, ka vdekur si rezultat i komplikimeve të shkaktuara nga COVID-19.

 

Momçillo Krajisnik vdiq të martën në moshën 75 vjeçare në Qendrën Klinike Universitare në Banja Llukë në entitetin me shumicë serbe Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë, thuhet në një komunikatë të qendrës klinike.

“Informojmë publikun dhe mediat se këtë mëngjes, më 15 shtator, 2020, zoti Momçillo Krajisnik, kryetar i parë i Asamblesë Kombëtare të Republkika Srpska, ka vdekur në 6 të mëngjesit në Klinikën e Kujdesit intensiv si rezultat i infektimit me coronavirus,” thuhej në deklaratë.

Ai ishte një nga liderët politikë kryesorë të serbëve të Bosnjës gjatë viteve të luftës 1992-95, së bashku me Radovan Karaxhiq dhe Biljana Plavshiq.

Ai bashkëthemeloi Partinë Demokratike Serbe me Karaxhiqin, i cili tani është duke vuajtur dënimin e përjetshëm për gjenocid dhe krime tjera të luftës.

Krajisnik në vitin 2000 u arrestua dhe u dërgua në Hagë për t’u gjykuar për krime lufte. Në paraqitjen e parë në vitin 2006, Krajisnik ishe dënuar me 27 vjet burg, por pas një apeli në vitin 2009 dënimi i tij u reduktua në 20 vjet burg.

Në vitin 2013 ishte liruar, ku edhe u prit si një hero gjatë kthimit në Republikën Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë. BalkanInsight