Komuna e Prizrenit | Foto: KALLXO.com

Komuna e Prizrenit shpenzon 9,673 euro për uniforma të punonjësve

Komuna e Prizrenit i ka shpenzuar 9 mijë e 673 euro për blerjen e uniformave për punëtorët e administratës. Blerja e uniformave është bërë për punonjësit e Qendrës së Shërbimeve të Integruara (ONE STOP SHOP) dhe vozitësve të Komunës së Prizrenit.

Kontrata është nënshkruar me datë 24 janar me kompaninë “NTSH A&T – Agim Trolli BI” nga Suhareka në vlerën totale prej 9,673,64 Euro.

Sipas kontratës, Komuna e Prizrenit ka blerë 114 këmisha për burra për 3,977 euro. Pra, 43.66 euro janë paguar për një këmishë që ka përmbajtje prej 65% pambuk dhe 35% polyester. Komuna ka blerë edhe 60 këmishë për gra, me një çmim 43.66 Euro, në total verën prej 2,619.60 Euro. Janë blerë edhe 60 shall dekorues për femra me çmim prej 9.44 Euro për copë, ndërsa janë shpenzuar 566.40 Euro në total. Janë blerë edhe 16 palë pantallona për 755,20 Euro, apo janë paguar 47,2 Euro për një palë.

Kurse një pallto është blerë 94,4 Euro, ndërsa në total ka shpenzuar 755,20 Euro për blerjen e 16 palltove për dimër.

Komuna thotë se përmes këtyre blerjeve të uniformave i është dhënë rendësi edhe imazhit, qoftë në aspekt të organizimit, dukjes së hapësirave, apo edhe prezantimit dhe qasjes së stafit komunal.

Komuna thotë se është bërë furnizimi me uniforma dimërore dhe kontrata është përmbyllur.

Drejtoria e Administratës ka planifikime tjera për blerjen e uniformave të tjera për stafin e kësaj qendre.

Për këtë tender kishin aplikuar 5 operator ekonomik, ndërsa tenderi është fituar nga operatori ekonomik me çmimin më të lartë, sepse Autoriteti Kontraktues kishte diskualifikuar katër operatorët tjerë, të cilët kishin pasur çmimin më të ulët por sipas Komunës nuk kishin qenë të përgjegjshëm.

Autoriteti Kontraktues ka diskualifikuar nga tenderi operatorët “Meteor” që kishte aplikuar me çmimin prej 4,808 euro, sepse nuk kishte sjellë dëshmi për kontrata të njëjta të realizuara me institucione tjera.

Edhe operatori ekonomi “Bujar I. Kabashi”, që kishte aplikuar me çmimin 7,282 euro, ishte diskualifikuar nga tenderi për të njëjtën arsye. Kurse, kompania “Arben Mashkulli B.I” ishte diskualifikuar me arsyetimin se i njëjti nuk i ka sjellë mostrat e uniformave për vlerësim nga Komisioni Vlerësues. I njëjti kishte aplikuar me çmimi prej 4,104 euro.

Ndërsa operatori “PUNTEX” kishte aplikuar me çmim prej 3,584 euro, ndërsa ishte diskualifikuar me arsyetimin se “pas verifikimit të mostrave nga  komisioni vlerësues, konstaton se nuk i përmbush specifikimet teknike të uniformave” që janë kërkuar nga Autoriteti Kontraktues.

Në gusht të vitit 2019 kishin filluar punimet në objektin e Administratës, ndërsa u cilësua se ky shërbim do të jetë më efikas dhe do të ofronte shërbime të shpejta për qytetarët.

Në kuadër të One Stop Shop, sipas Komunës, janë disa sektorë të Administratës: sektori i Gjendjes civile, Sektori teknik, protokolli, pagesat komunale, kërkesat, shërbimet juridike, shërbimet kadastrale, shërbimet e urbanizmit, ankesat, shërbimet për biznese, arkiva komunale, informacioni etj.