Komuna e Prizrenit planifikon t’i shpenzojë 200 mijë euro për renovimin e Qendrës Rinore

Qendra Rinore në Komunën në tri vitet e fundit ka qenë pasive ndërsa rinia e Komunës ka pak informacione se kush menaxhon me këtë qendër dhe si mund  të shfrytëzohet.

Mosshfrytëzimi i kësaj qendre dhe mos mirëmbajtja e vazhdueshme e kësaj qendre, ka sjellë deri te dëmtimi i objektit.

Në gusht të vitit 2019, një grup i OJQ-ve Rinore në formë proteste kishin shpërndarë letra në formë proteste duke e shpallur të vdekur Qendrën Rinore.

“Me pikëllim të thellë ne zemër i njoftojmë të gjithë të rinjtë prizrenas se më e dashura jonë QENDRA RINORE PRIZREN, pas një kohe të gjatë të mosfunksionimit të saj, edhe në këtë ditë të ndërkombëtare të rinisë, mbetet një objekt pa shpirt sot e disa vite. Të pikëlluarit: Mytaher Haskuka, Ehat Oreshka, OJQ-të dhe gjithë rinia e Prizrenit “ thuhej në letrën e shpërndarë në ditën e Rinisë.

Pas një kohë të gjatë, Komuna e Prizrenit është kujtuar për investimet edhe për sektorin e Rinisë, pasi që ka hapur një tender ku planifikon t’i shpenzojë 200 mijë euro për renovimin e kësaj qendre, dhe kjo shumë do të jetë investim në fazën e parë të renovimit.

Me këtë kontratë planifikohet që si fazë e parë të rinovohet në tërësi objekti i Qendrës Rinore në Prizren, ku fillimisht do të bëhet demolomi i mureve dhe dyshemeve dhe do të ndërrohet pjesërisht kulmi në vendet ku është dëmtuar.

Reinstalimi i rrymës reinstalimi i sistemit të ujit dhe kanalizimit dhe riparimi i nxemjes qendore me disa punime ndërtimore përfshihen në fazën e parë të renovimit për këtë projekt.

2 qershori ka qenë afati i fundit ku operatorët ekonomikë kanë pasur të drejtë për të dorëzuar ofertat e tyre, ndërsa kriteri për dhënien e kontratës ka qenë çmimi më i ulët i ofruar nga operatori ekonomik.

Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport në përgjigjet për KALLXO.com ka thënë se kjo qendër është menaxhuar dhe shfrytëzuar nga disa OJQ dhe klube sportive që aktivitet e tyre i kanë zhvilluar në sallën e qendrës rinore, mirëpo nuk kanë dhënë sqarime se cilat OJQ dhe cilat kanë qenë kriteret për të shfrytëzuar apo menaxhuar këtë qendër.

Ndërsa pas përfundimit të rinovimit, mënyra e menaxhimit do të rregullohet me Rregulloren për menaxhimin e objekteve kuluro-sportive  në Komunën e Prizrenit, thuhet në përgjigne e komunës.