Komuna e Prishtinës, thirrje për aplikim për legalizim të objekteve pa leje

Komuna e Prishtinës ka njoftuar qytetarët lidhur me procesin e legalizimt të ndërtimeve pa leje.

Aridian Olluri, drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, tha se objektet pa leje munden ta kenë njërën nga dy epilogët ose të legalizohen duke u regjistruar në regjistrin e të drejtave pronësore në kadastër ose të rrënohen.

Olluri tha se arsyeja kryesore e procesit të legalizimit është që të evitohet rreziku i rrënimit.

“Regjistrimi në regjistrin e të drejtave pronësore në kadastër sjellë shumë përfitime për pronarët. Rregullohet statusi juridik i pronës, mundësohet qarkullimi juridik i pronës përmes shitjes, procesi i trashëgimisë, etj. dhe rritet siguria”, tha ai.

Servet Spahiu nga përfaqësues nga Ministria e Ambientit ka thënë se ligji i legalizimit ka hyrë në fuqi me 5 shtator 2018.

Sipas tij qëllimi gjeneral i ligjit ka qenë që të thjeshtësohen procedurat, që qytetarët të kthejnë në legale atë çka e kanë ndërtuar pa leje edhe para lufte por sidomos pas lufte dhe të nxisë zhvillim ekonomik.

Ai tha se kostoja është shumë më e lirë.

“Kosto është 1 euro për objekte të kategorisë së parë për shtëpi familjare, ndërsa 2 euro për objekte tjera për metër katror”, tha ai.

Spahiu tregoi se janë katër dokumente që i duhen për të aplikuar.

“Dokumentacioni për shtëpitë duhet me pas një certifikatë të pronës, matjet e gjeodetit, fotografitë e objektit dhe një deklaratë e pronarit. Janë katër dokumente të thjeshta që duhet me apliku në drejtori të urbanizmit nëpër komuna”, shtoi ai.

Murat Hoxha nga Shoqata e Gjeodetëve të Kosovës tha se aktualisht janë rreth 143 gjoedet të licencuar dhe 25 teknik.

“Janë 41 kompani me minimumi 5 persona të punësuar. Llogariten diku 300 persona aktiv ekspert të gjeodezisë që merren me këtë proces. Nëse çdo gjeodet i kryen ka dy lëndë në ditë ne mundemi me arrit diku rreth 330 mijë objekte për dy vjet nëse parashihet për dy vjet me vazhdu ligji”, shtoi Hoxha.

Hoxha tha se ky proces ka mundësi të përshpejtohet nëse institucionet janë të organizuara mirë.

“Nuk ka struktura të veçanta që merren me legalizimin. Gjeodeti duhet të jetë i sigurt që lënda të procesohet pa marr parasysh a shkon në listë të pritjes, legalizimit apo rrënimit. Pritja është 60 ditë”, tha ai.

Drejtori i Urbanizmit Olluri, tregoi për objektet që do të shkojnë në listë të pritjes.

“Objektet që janë ndërtuar në prona publike, shoqërore, në toka të cilat janë në sistem të ujitjes, zona të mbrojtura, në rrjete infrastrukturore dhe objektet të cilat janë të ndërtuara në prona private por të cilat pronari nuk e posedon dokumentacionin që dëshmon në pronësi përfshihen në listë të pritjes. Këto objekte mund të vonohen në trajtim, por do të trajtohen”, tha Olluri.

Gjithashtu sipas tij objektet të cilat nuk aplikojnë për legalizim përfshihen në listën e rrënimit dhe i dërgohet një njoftim pronarit të objektit që objekti i tij është përfshirë në listën e rrënimit.

“Pronari i ka tri opsione: mundet me apliku brenda 6 muajve dhe me i pagu dyfishin e taksave, mundet me rrënu vetë objektin, ose mundet me paraqitur ankesë mbi vendimin në të cilin është përfshi në listën e rrënimit. Nëse nuk veprohet në asnjë opsion objekti rrënohet nga institucione dhe dëmi i faturohet pronarit të objektit”, shtoi ai.

Olluri tha se kostoja është e ulët ndërsa për personat që arrijnë të dëshmojnë gjendjen e rendë ekonomike mund të lirohen nga pagesa.

“Gjithë ata qytetarë që arrijnë me dëshmu gjendjen e rëndë ekonomike mundeni me apliku me u liru komplet nga tarifa. Nëse dëshmohet gjendja e rëndë ekonomike lirohet nga tarifa edhe koston e incizimit gjeodezik e merr përsipër komuna”, tha Olluri.