Komuna e Prishtinës hap thirrje për 50 mijë euro subvencione për shfaqje në Teatrin Dodona

Drejtoria e Kulturës në  komunën e Prishtinës ka hapur thirrje publike për subvencione për prodhimin e shfaqjeve teatrale me vlerë 50 mijë euro.

Të gjitha organizatat joqeveritare, bizneset e regjistruara në Republikën e Kosovës, programi i punës i të cilave është i fokusuar e fushën e kulturës, mund të aplikojnë për mbështetje financiare në thirrjen publike për projekt propozimet për prodhimin e shfaqjeve teatrore, për Teatrin për fëmijë dhe për Skenën e  Mbrëmjes, për repertorin e Teatrit të Qytetit të Prishtinës Dodona.

Projekt propozimet për të cilat mund të aplikojnë janë:

Komedi – autor shqiptar – Skena e mbrëmjes

Dramë – dramatizim i ndonjë tregimi, poezie, epi ose i çfarëdo gjinie letrare nga

letërsia shqipe – autor shqiptar – Skena e mbrëmjes

Dramë – autor i huaj – Skena e mbrëmjes

Solo performancë – monodramë, stand up comedy, apo çfarëdo performancë tjetër “one man show” – Skena e mbrëmjes

Shfaqje për fëmijë – autor shqiptar ose i huaj – (mund të jetë shfaqje vetëm me kukulla, vetëm me aktorë në skenë, apo edhe e kombinuar) – Teatri për fëmijë

Shuma maksimale për një projekt është 13 mijë euro.

Afati për dorëzimin e propozimeve është nga data 10 deri më 30 shtator 2020.

Komuna e Prishtinës para katër ditësh kishte hapur thirrje publike për shpërndarje të subvencioneve në fushën e kulturës me vlerë 100 mijë euro.