Komuna e Prishtinës hap thirrje për subvencione me vlerë 100 mijë euro në kulturë

Komuna e Prishtinës ka hapur thirrje publike për shpërndarje të subvencioneve në fushën e kulturës me vlerë 100 mijë euro.

Sipas thirrjes të gjitha organizatat joqeveritare, individët, bizneset të regjistruara mund të aplikojnë me projekt-propozimet për organizimin e aktiviteteve kulturore si:

 Art vizual – figurativ: krijim i veprës së re, fuqizim i artistëve të rinj, ekspozitë, hulumtim kuratorial, instalime në hapësira publike, mbështetje të personave me nevoja të veçanta dhe inovacion teknologjik;

Botime: për fëmijë, për të rinj, romane, tregime, përkthime, mbështetje të personave me nevoja të veçanta dhe hulumtime kulturore;

Kinematografi: film dokumentar, filmi i shkurtër, film i animuar, fuqizimi i kinematografëve të rinj, titrim dhe zhvillim skenari;

Muzikë: kompozim i veprës së re, audio-incizim, koncert, fuqizimi i muzikantëve të rinj, mbështetje të personave me nevoja të veçanta dhe inovacion teknologjik;

Trashëgimi kulturore dhe turizëm: fushata vetëdijesimi, pjesëmarrje në aktivitete për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, hulumtim, promovim i diversitetit kulturor, turizëm kulturor, platforma informative dhe Teatër: prodhimi i shfaqjes, promovim dhe pjesëmarrje e shfaqjes në festival kombëtare dhe ndërkombëtare, mbështetje të personave me nevoja të veçanta dhe inovacion teknologjik;

Vlera e përgjithshme e planifikuar për Fazën e II-të është 100 mijë euro. Shuma minimale e mbështetjes financiare që mund të alokohet për një projekt është 500 euro  ndërsa shuma maksimale për një projekt është 13 mijë euro.

Afati për dorëzimin e propozimeve është nga 8 shtator deri më 28 shtator 2020.