Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Komuna e Podujevës mbajti mbledhje një javë pas rastit të 18-vjeçarit, deklarohet Bulliqi

Më 14 janar 2024, në mes të ditës në Podujevë, një 18-vjeçar fillimisht u godit me veturë e më pas u rrah brutalisht me shkop druri.

Gjashtë ditë më vonë, i riu Lulzim Fejzullahu vdiq teksa ishte duke marrë tretman mjekësor në në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

E në ditën e tetë pasi ndodhi e gjithë ngjarja, Komuna e Podujevës vendosi të mbledh Këshillin e Sigurisë në Bashkësi.

Pas mbledhjes së mbyllur për media, vet kryetari i komunës, Shpejtim Bulliqi mbajti një konferencë për media. Aty ai u pyet se pse kjo mbledhje u mbajt më shumë se një javë pasi ndodhi ngjarja.

“Neve na janë dashtë edhe informacione shtesë. Informacionet që kemi pasur i kemi marrë, i kemi trajtuar dhe ato informata që i kemi marrë fillimisht kanë qenë jo të detajuara” – tha Bulliqi.

Kur u pyet se kush janë policët që shkruan raportin për rastin e Fejzullahu, ku thuhet se ai u ther me thikë, kryetari nuk pranoi të flasë.

“Nuk mund të japim të dhëna sepse kjo i përket aspektit të sigurisë” – u shpreh shkurtimisht ai.

KALLXO.com tentoi të marrë edhe një përgjigje nga komandanti i Policisë së Kosovës në Podujevë, Njiazi Jashari, mirëpo as ai nuk foli për këtë çështje.

Edhe komandanti shkurtimisht tha se nuk është i autorizuar të flas.

“Janë arrestuar dy të dyshuar pasi që të njëjtit kanë therur me thikë viktimën” – kështu u tha në raportin ditor të lëshuar më 15 janar të këtij viti për rastin e vrasjes së Lulzim Fejzullahut në Podujevë.

Rasti ishte iniciuar si vrasje në tentativë, e sot shefi i Repartit Intensiv në QKUK, Shaqir Uka tregoi për KALLXO.com se tek viktima nuk u evidentua se ka pasur therje me thikë, por rrahje brutale ndaj një të riut me mjete të forta (shkop druri).

Për rastin në fjalë sot Inspektorati Policor i Kosovës tregoi se kanë filluar hetimet për të zbardhur trajtimin e rastit të të riut.

Lulzim Fejzullahu ishte rrahur brutalisht më 14 janar 2024 në Podujevë rreth orës 13:00.

Sipas raportit policor të datës 15 janar, ai fillimisht kishte pranuar tretman mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë dhe më pas ishte dërguar për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Në këtë raport gjithashtu u tha se “njësiti policor në vendin e ngjarjes ka konfiskuar një thikë dhe një veturë”.

Gjashtë ditë më vonë, më 20 janar 2024, Lulzim Fejzullahu vdiq gjatë kohës sa ishte në trajtim mjekësor.