Malisheva. FOTO-Halim Kafexholli

Komuna e Malishevës hiqet nga karantina, vazhdojnë masat e tjera

Gjatë ditës së sotme Qeveria në detyrë e Kosovës ka vendosur për shfuqizimin e masës së karantinës për territorin e komunës së Malishevës, masë e cila ishte marrë më 14 mars të këtij viti, pas shfaqjes së rastit të parë të prekur me COVID-19.

Komuna e Malishevës ka njoftuar se edhe pse masa e karantinës është hequr, masat e tjera të rekomanduara nga Ministria e Shëndetësisë dhe udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike mbesin në fuqi.

“Kultura e treguar në zbatimin e masave mbrojtëse për luftimin e përhapjes së virusit korona, i ka dhënë rezultatet, dhe që disa ditë në komunën tonë kemi pothuajse zero raste të reja të prekur me këtë virus, e numri i të shëruarve është më i madhi në vend, pasi janë shëruar 58 persona të prekur. Për këtë kulturë të treguar dhe për zbatimin në përpikëri të të gjitha masave, në emër të Komunës së Malishevës, i falënderoj të gjithë qytetarët, e po ashtu i falënderoj edhe të gjithë ata që janë të angazhuar në luftimin e kësaj sëmundje, punëtorët shëndetësorë në QKMF, në Klinikën Infektive, IKSHP-në, Policinë e Kosovës dhe të gjithë stafin e Komunës së Malishevës, të cilët, nga dita e parë janë të angazhuar në luftimin e kësaj sëmundje”, tha kryetari Begaj, pas marrjes së vendimit për heqjen e karantinës për komunën e Malishevës.

Tutje ai ka bërë thirrje që të vazhdojnë qytetarët e Malishevës të respektojnë masat tjera të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë.

“Pavarësisht heqjes së masës së karantinës, ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve, që të vazhdojnë ti respektojnë në maksimum të gjitha masat tjera për mbrojtje nga përhapja e virusit, pra mos u grumbulloni në vende publike apo në ndeja rasti, mbani distancën e rekomanduar fizike prej dy metra, mbani maska e dorëza, mos dilni pa nevojë, respektojeni masën e kufizimit të lëvizjes, dhe mbani higjienën e duhur”, shtoi Begaj.

Deri më sot në komunën e Malishevës janë të regjistruar 76 të prekur me COVID-19, prej tyre 58 janë shëruar, një person ka vdekur dhe 17 persona janë në kurim e sipër, gjendja e të cilëve është stabile.