Komuna e Istogut

Komuna e Istogut i ka lëshuar prona 38 qiramarrësve të cilët i kishin borxhe asaj

Komuna e Istogut ka dhënë në shfrytëzim 45 prona me qira edhe pse 38 qiramarrës kishin borxhe të pashlyera në vlerë 12 mijë euro ndaj komunës dhe borxhet e shtatë të tjerëve i ka shlyer pa bazë ligjore.

Kjo është konstatuar në raportin e auditimit për vitin 2020 të Komunës së Istogut.

“Megjithatë, 38 qiramarrës pavarësisht faktit që kishin borxhe të pashlyera (12,040 euro) ndër vite ndaj komunës ende vazhdojnë të shfrytëzojnë pronat e komunës dhe komuna nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim ligjor ndaj tyre”, thuhet në raportin e Auditorit.

Sipas Auditorit, borxhet e shtatë qiramarrësve në vlerë prej 3,960 ishin shlyer nga lista e borxheve pa bazë ligjore.

Në lidhje me këtë KALLXO.com ka kontaktuar me kryetarin e Komunës së Istogut, Haki Rugova, i cili tha se nuk ka të drejtë të diskutojë në lidhje me të pa u shqyrtuar në Kuvendin Komunal të Istogut.

“Po zakonisht janë me çmime simbolike ata, nuk e kem ndërmend t’i rëndojmë se janë biznese, le të punojnë njerëzit”, tha Rugova.

Sipas rregullores nr.23/2012 për përcaktimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme, në nenin 4 obligohet Komuna që dhënien në shfrytëzim afatshkurtër të pronës së paluajtshme ta bëjë përmes procedurës së ankandit publik.

Mirëpo sipas Auditorit, në kontratat e nënshkruara nuk është përcaktuar kohëzgjatja e shfrytëzimit të pronave.

Sipas Auditorit, dhënia në shfrytëzim e pronave pa ankand publik si dhe mosndërmarrja e veprimeve për mbledhjen e borxheve nga komuna ndikon në dëmtimin e buxhetit të komunës.

Ndërsa largimi nga lista i qiramarrësve borxhli pa bazë ligjore, sipas Auditorit, përveç që zbeh kredibilitetin e komunës pamundëson edhe marrjen e veprimeve ligjore për mbledhjen e tyre.

“Kryetari duhet të analizojë arsyet për menaxhimin jo të duhur të pronës komunale dhe të siguroj se prona komunale ofrohet për shfrytëzim vetëm atëherë kur janë plotësuar kërkesat ligjore konform rregullave. Gjithashtu, duhet të shqyrtohen në mënyrë aktive të gjitha opsionet e mundshme, përfshirë edhe mjetet ligjore për të siguruar se të hyrat e planifikuara do të realizohen”, thuhet në rekomandimin e ZKA-së për kryetarin e Komunës së Istogut.