Avokati i Popullit

Komisioni parlamentar votoi listën e ngushtë prej 3 kandidatëve për Avokat të Popullit

Që nga 2 korriku i këtij viti, Institucioni i Avokatit të Popullit në Kosovë ka mbetur me ushtrues detyre pasi që Hilmi Jasharit, që mbajti këtë pozitë në pesë vjetët e fundit, i ka skaduar mandati.

Sot në mbledhjen e Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione me 5 vota për dhe tri abstenime, është votuar lista e ngushtë prej 3 kandidatëve që do t’i dërgohen Kuvendit të Kosovës për votim.

Edona Hajrullahu, Naim Qelaj dhe Xhait Shala janë tre kandidatë që do të dërgohen në Kuvendin e Kosovës për votim për të marrë detyrën e Avokatit të Popullit.

Ish- Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani është tërhequr nga gara për tu zgjedhur Avokat i Popullit.

Për këtë pozitë kishin aplikuar gjithsej 19 kandidatë, ndërsa në fazën e intervistimit kanë qenë gjithsej 17 kandidatë që janë paraqitur para komisionit vlerësues të përbërë nga 5 deputetë, të kryesuar nga Duda Balje, Saranda Musliu, Valdete Idrizi, Salih Zyba dhe Teuta Haxhiu, që të gjithë janë edhe pjesë e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.

Propozimin e Avokatit të Popullit e bën Komisioni për të Drejtat e Njeriut, dhe komisioni, bashkëngjitur me listën e ngushtë, i dërgon Kuvendit të Republikës së Kosovës listën e të gjithë kandidatëve të cilët plotësojnë kushtet për t’u zgjedhur Avokat i Popullit.

Avokati i Popullit duhet të zgjidhet brenda tridhjetë (30) ditëve nga dita e propozimit të kandidatëve nga ana e Komisionit për të Drejtat e Njeriut.