Komisioni Ekzekutiv për Shëndetësi mban mbledhjen e dytë, merren vendime për përmirësimin e shërbimeve

Komisioni Ekzekutiv për Shëndetësi, i udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti ka mbajtur sot mbledhjen e dytë.

Sipas njoftimit, në këtë mbledhje kryeministri ka theksuar urgjencën e reformave të thella si dhe veprimeve të menjëhershme në përmirësimin e shërbimeve.

“Synimi kryesor përpos dhënies së shërbimeve është mbërritja e standardit më të lartë të mundshëm në kujdesin shëndetësor për qytetarët e vendit” – thuhet në njoftim.

Tutje është njoftuar se në kuadër të këtij synimi, anëtarët e Komisionit janë dakorduar në disa pika.

Dakordimi i parë është njoftuar se ka qenë se për të plotësuar nevojat e pacientëve në institucione publike shëndetësore, Kurti, javën që vjen, do të nënshkruajë udhëzimin administrativ për licencimin e profesionistëve shëndetësorë të huaj.

“Me këtë Udhëzim, do të lehtësohen procedurat e licencimit të profesionistëve të mërgatës, si dhe të atyre të trojeve shqiptare. Në afatshkurtër komplementariteti me profesionistë nga mërgata e rajoni do të plotësojë ofrimin e shërbimeve që mungojnë ose rrezikojnë të mos ofrohen” – thuhet tutje.

Gjithashtu është treguar se njëkohësisht institucionet do të punojnë me ritëm të shtuar për trajnimin dhe aftësimin e profesionistëve vendas për të ofruar këto shërbime në të ardhmen.

Dakordimi i dytë është që çdo orë kur mungon një profesionist shëndetësor gjatë orarit të tij të punës është jo vetëm një orë e vjedhur nga shteti, por edhe kërcënim ndaj jetës dhe shëndetit të qytetarëve tanë.

Për këtë, për të siguruar respektimin e orarit të punës nga ana e punonjësve të institucioneve publike, sidomos atyre që janë të punësuar edhe në sektorin privat, Komisioni do të marrë masa për mbikëqyrje të shtuar ndaj të gjithë drejtuesve të njësive në sektorin publik që janë përgjegjës për kontrollin e mbarëvajtjes në punë të vartësve të tyre.

Anëtarët e Komisionit po ashtu janë dakorduar që në mënyrë urgjente të rritet mbikëqyrja dhe kontrolli përmes Inspektoratit Shëndetësor dhe Inspektoratit Farmaceutik, në të gjithë sektorin shëndetësor, publik dhe privat, për të parandaluar e ndëshkuar shkeljet e detyrimeve ligjore që rezultojnë në dëmtim të pacientëve në shëndetin, integritetin apo dhe financat e tyre.

Përderisa dakordimi i fundit i anëtarëve është që brenda dy muajve të miratohen aktet statutare dhe të hapet rruga për konkursin, i cili do ta bëjë QKUK-në me drejtor.

Në njoftim u tha se duke pasur parasysh rëndësinë e reformave rrënjësore në sistemin shëndetësor, Komisioni Ekzekutiv për Shëndetësi do të vijojë aktivitetin dhe takimet sa më shpesh që të ketë nevojë për t’i shtyrë përpara këto reforma.